Skuadra e Borës ka debutuar me humbje në elitën e basketbollit kosovar.
Bora, e inkuadruar këtë sezon në Superligë, ka pësuar humbje në xhiron e parë.
Të dielën, në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, Bora u mposht nga skuadra e Yllit me rezultatin 74:67.
Në fakt, Bora tregoi paraqitje të mirë por nuk arriti ta mposht Yllin pasi ekipi nga Suhareka ka përvojë më të mëdha.
Bora e nisi ndeshjen mirë, e fitoi çerekun e parë me rezultatin 27:13 por pastaj i humbi tri periudhat tjera për ta regjistruar humbjen.
Amerikani Terrell Brown ishte më efikasi te Ylli, pasi ndeshjen e mbylli me 28 pikë e 7 kërcime. Krahas Brownit, pikë dyshifrore te Ylli realizuan edhe Arian Qallaku (11) e Gëzim Morina (10).
Te Bora, katër lojtarë realizuan pikë dyshifrore por nuk arritën ta evitojnë humbjen nga Ylli.
Shamarkus Kennedy pati 14 pikë e 10 kërcime, Ardit Pepaj 10 pikë, Dion Haxhosaj 12 pikë e 10 kërcime dhe Rezart Memedi 11 pikë të shënuara.