Një gjë e tillë është bërë e ditur sot nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike, ku tha se së shpejti do të kalojnë në konsultimet paraprake dhe publike për t’i hapur rrugë procedimit për aprovim të ligjit në Qeverinë e Kosovës.
Vonesat Sveçla i ka arsyetuar me hartimin e një ligji i cili sipas tij do të sjellë barazi për secilin për punën e njëjtë.
“Ka edhe kërkesa e aspirata të drejta të punonjësve të institucioneve të veçanta që statusi i tyre të përmirësohet në kuptimin e nivelit të pagës, por të gjitha këto duhet pastaj të krahasohen me njëra-tjetrën, duhet që edhe të jenë në përputhje me kapacitetet buxhetore të Kosovës. Ky ligj është duke u punuar në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Financave. Sa na takon ne si Ministri e Punëve të Brendshme, ky ligj tashmë është i përfunduar. Tash është në fazën e vlerësimeve të fundit të Ministrisë së Financave në mënyrë qe ne të kalojmë në diskutimet paraprake dhe publike sa më parë që është e mundur. Por nuk do të bëjmë një ligj, i cili do të jetë pengesë e zhvillimit të vendit tonë, nuk do të bëjmë një ligj, i cili sjell padrejtësi, nuk do të bëjmë një ligj i cili ka rrezik të na kthehet prapa nga Gjykata Kushtetuese. Do të bëjmë një ligj i cili bazuar në mundësitë modeste të vendit tonë do të paguajë secilin për punën e tij që bën, kjo është arsyeja pse ne kemi vonesa kalendarike”, tha Sveçla.
Ministri i Brendshëm nuk pret që me ligjin e pagave te pajtohen të gjitha kategoritë.
“A do të kemi vështirësi, absolutisht se po. Unë jam i vetëdijshëm që do të kemi pikëpamje të ndryshme dhe kjo është e drejtë. Është një luftë në mes të urgjencës, zhvillimit afatgjatë, pikëpamjeve të ndryshme se si ky vend do të zhvillohet, prioriteteve që u jep kategorive të caktuara brenda për brenda zyrtarëve të cilët prekën nga ky ligj… A do të mund t’i kënaqim të gjithë, jo, Kosova megjithatë mbetet një vend i varfër me një administratë të mbingarkuar, por me kapacitetet tona ne po mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme, unë prej draft-ligjit që e posedoj, jam i bindur që është arritur kjo”, tha ai.
Kryetarja e komisionit, Doarsa Kica-Xhelili tha se pas shtyrjes së afatit të projektligjit për 30 qershor, presin që pas dy muaj i njëjti të arrijë në Kuvend.
“Mbesim me shpresë që këto tri projektligje, të cilat i keni shtyrë tashmë për 30 qershor 2022, që janë projektligji për paga në sektorin publik, projektligji për zyrtarët publikë dhe projektligji për inspektimin administrativ, ta keni parasysh që pas dy muajsh pritet të vijë në Kuvend që nënkupton në ditët në vijim do të duhej të dilni në diskutim publik dhe ne do të jemi “sytë dhe veshët” e këtij Kuvendi që të shohim sa do të jeni të përpiktë tashmë në datat e reja në sjelljen e këtyre projektligjeve”, ka thënë Xhelili
Në raportimin e ministrit Sveçla ishte i pranishëm vetëm një deputet nga opozita.
“I nderuar ministër, pse nuk po e kryeni punën për të cilën jeni përgjegjës, e kuptoj që procesi i riorganizimit nuk është i lehtë dhe kjo do të duhej të merrte maksimum 6 muaj, por kanë kaluar dy vjet dhe procesi ende nuk ka përfunduar. Për mua ky është një dështim i procesit. Kemi ministri jo funksionale me njerëz pa detyra me pozita të dyfishta, paga të dyfishta për pozita të njëjta. Kjo e pengon funksionimin e mirëfilltë të institucioneve”, tha deputeti i PDK-së, Isak Shabani.
Lidhur me riorganizimin e ministrisë, Sveçla ka thënë se janë në fazën përfundimtare të miratimit të rregullores në të cilat sipas tij do të parashihen të gjitha departamentet, zyrat dhe obligimet e secilit departament dhe zyre./KP