Po bëhet gati 1 vit nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Grupin e paramilitarëve serbë e udhëhoqi ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoijçiq, i cili edhe morri krejtësisht përgjegjësinë për atë sulm.
Pavarësisht aksionit terrorist, Radojçiq vazhdon të lëvizë i lirë nëpër rrugët e Beogradit.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e bëri të qartë se pritjet e SHBA-së janë që Radoijçiq dhe autorët e tjerë të kësaj vepre kriminale të mbajnë përgjegjësi.
Ai tutje njoftoi për herë të parë se autoritetet serbe kanë parashtruar një kërkesë zyrtare për ndihmë juridike reciproke për të siguruar provat e nevojshme për ndjekjen penale të Millan Radoiçiqit.
Se një kërkesë të tillë ka ardhur nga Serbia e kanë konfirmuar për televizion Ministria e Drejtësisë.
Mirëpo sipas tyre kërkesa e Serbisë është në kundërshtim me ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale.
“Kërkesa e Serbisë është në kundërshtim me nenin 85, paragrafi 1, nënparagrafët 1.2 dhe 1.3 të ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale. Po ashtu sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion të hetojnë dhe gjykojnë çështjet që pretendohet të jenë kryer brenda territorit të Republikës së Kosovës. Pas sulmit terrorist serb në Banjskë, duke u bazuar në atë se terroristet ishin trajnuar në Serbi, kishin planifikuar sulmin nga Serbia ishin armatosur atje, kishin ardhur nga Serbia, pas sulmit ishin arratisur në Serbi, udhëheqësi i grupit terrorist e kishte pranuar publikisht se qëndron prapa këtij sulmi”, kanë thënë nga MD për Tëvë1.
Tutje kjo ministri, ka thënë që prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës përmes Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar të Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës, kishte parashtruar kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike në Serbi, përmes të cilës kishte kërkuar grumbullimin e provave.
Por, Serbia asnjëherë nuk i është përgjigjur kësaj kërkese.
Ministria ka thënë që për Banjskën duhet të bëhet një hetim ndërkombëtar.
Mirëpo drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, vlerëson se është pamundur që për këtë rast Kosova t’i ndaj provat dhe dëshmitë me një juridiksion apo me një shtet tjetër.
“Në bazë të legjislacionit të Kosovës në qoftë se rasti është duke u hetuar dhe nëse autoritetet në Republikën e Kosovës kanë marrë vendim përfundimtar se këtë rast do ta ndjekin penalisht atëherë pothuajse e kanë të pamundur që provat dhe dëshmitë të cilat i kanë marrë gjatë procesit gjyqësor t’i ndajnë me një juridiksion apo shtet tjetër. Tani nëse kërkesa e Serbisë është që krejt rasti të transferohet atje atëherë këtë gjë legjislacioni kosovar nuk e lejon”, ka thënë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
E këto veprime të Serbisë i konsideron si lojëra politike avokati, Yll Zeka.
“Faktikisht kjo është më shumë lojë politike e Serbisë sesa që përfshihet aspekti juridik për shkak se z.Radojiçiq nuk ka kryer vepër penale në Republikën e Serbisë për çka duhet të ndjekej nga Republika e Serbisë. Vendi i kryerjes së veprës penale është Republika e Kosovës dhe është nën dyshimin se në Kosovë është kryer akt terrorist dhe në raste të tilla kur kemi involvim apo kemi cenim të sigurisë shtetërore atëherë informata të tilla nuk mund të ndahen me një shtet i cili konsiderohet se i përkrah këto struktura”, shprehet Zeka.
Radoiçiq akuzohet në Serbi për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator.