Videot që shpërndahen në rrjetin social “TikTok” shpeshherë dinë të bëhen mollë sherri për përplasje ndërmjet grupeve të ndryshme.
Një rast i tillë ndodhi mesditën e së mërkurës në Lipjan, ku dyshohet se një burrë mbeti i vrarë, e një 15-vjeçar i plagosur, shkak i një përmbajtjeje të shpërndarë në këtë platformë.
Përdorimi i këtij rrjeti social, u ndalua në institucionet publike rreth dy muaj më parë.
“Sipas informatave që i kemi, Qeveria për shkak të çështjeve të sigurisë nuk ka një politikë të qartë se ku ruhen këto të dhëna, por sipas të dhënave që kemi këto të dhëna ruhen në Singapor dhe jo në Kinë, po është një kompani kineze që ka aksion në këtë platformë. SHBA është në shqyrtim për të ndaluar në tërësi të këtij rrjeti social për shkak të sigurisë, pasi nuk dihet vendi ku ruhen”, Arbian Arfifi nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.
Por a mundet Agjencia për Informim dhe Privatësi të ndalojë tërësisht përdorimin e “TikTokut”?
“Agjencia për informim dhe Privatësi nuk ka kompetencë ta ndalojë në tërësi TikTokun, por çka kemi bërë ne si agjenci, kemi pasur kontakte me përdoruesit e TikTok-ut të cilët i kemi detyruar që politikat e privatësisë që janë në aplikacion të përkthejnë në gjuhën shqipe me qëllim që qytetarët tanë të kenë njohuri më të mëdha”, shprehet ai.
Se pse përmes këtij rrjeti social nisin konflikte të tilla tregon eksperti i kibernetikës, Mentor Hoxhaj.
“Pse ka ndodh në rrjetin social TikTok kemi të bëjmë sepse ky rrjet social pothuajse nuk ka ndonjë kufizim, pothuajse nuk ka asnjë kontroll. Andaj ngjarje të tilla apo edhe me të rënda që janë kriminale mund të shohim në TikTok”, tha Metor Hoxhaj –ekspert i Kibernetikës
Por sipas tij, Qeveria nuk mund të ndaloj “TikTokun” në Kosovë.
“Qeveria mund të marrë një vendim të tillë në letër, por mund të ketë jashtëzakonisht të vështirë të realizojë në praktikë. Mungesa e kufijve digjital në Republikën e Kosovës e pamundëson Qeverinë e Kosovës të marrë një vendim jo vetëm për TikTok-un, por çfarëdo platforme pastaj ajo të mos iu shfaqet qytetarëve në internet”, thotë ai.
Në muaj qershor, u raportua se disa nxënës në Fushë Kosovë e në Lipjan lënduan vetën për shkak të një loje në TikTok.