Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje palëve politike në Shqipëri që të angazhohen në dialog konstruktiv, pas protestave të vazhdueshme që kanë përfshirë Tiranën që nga maji i vitit 2026.
Në raportin e tij, BE-ja i cilëson protestat si mobilizimin më të madh qytetar në Shqipëri që nga tranzicioni demokratik, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës në kulmin e tyre.
Lëvizja nisi si kundërshtim ndaj punimeve ndërtimore në zonën e mbrojtur të Pishë-Poro-Nartës, për shkak të shqetësimeve mjedisore dhe mungesës së transparencës në miratimin e projekteve të mëdha.
Megjithatë, protestat u zgjeruan në një lëvizje më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisë dhe opozitës, duke vënë në fokus korrupsionin, mungesën e llogaridhënies, koston e jetesës dhe problemet në arsim e shëndetësi.
Shqetësuese për BE-në mbetet edhe përshkallëzimi i protestave. Gjatë tetorit, protestat e udhëhequra nga studentët u shoqëruan me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, dëmtim të pronës publike e private, si dhe pretendime për përdorim të tepruar të forcës policore ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Pavarësisht tensioneve, raporti thekson se deri më tani nuk është zhvilluar dialog mes palëve, duke kërkuar angazhim të sinqertë për tejkalimin e situatës.
Raporti vë në pah se polarizimi politik dhe mungesa e dialogut mes shumicës qeverisëse dhe opozitës kanë ndikuar drejtpërdrejt në punën e Kuvendit të Shqipërisë.
Gjashtë deputetë të opozitës u pezulluan nga Sekretariati i Etikës, pas kërkesës së shumicës, por vendimi u anulua më vonë nga gjykata administrative.
Ndërkohë, BE-ja shpreh shqetësim edhe për kundërshtimin dhe vonesat e shumicës qeverisëse në zbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, raporti vlerëson rolin e kësaj gjykate në ruajtjen e ekuilibrave institucionalë, ndërsa përmend edhe konsensusin e arritur mes dy partive kryesore në maj të vitit 2026 për çështje që lidhen me rregulloren e Kuvendit.
Në shtator, qeveria shqiptare ndërmori gjithashtu një nismë për përmirësimin e konsultimit publik dhe qasjes në informacion.




