Familja Shala ka hapur dyert për të pame me dhimbje të madhe për tre vjeçarin që gjeti vdekjen aksidentalisht në Komunën e Rahovecit.
Mbrëmjen e së dielës, derisa po luante me fëmijë të tjerë, mbi fëmijën ranë dyert e oborrit të shtëpisë, plagëve të të cilave ai nuk arriti t’iu mbijetonte.
Sipas familjarëve, aksidenti fatal ka ndodhur në një shtëpi të pabanuar, ku familja Shala kishte shkuar përkohësisht për të kryer disa punë bujqësore. Në momentin kritik, fëmijët e lagjes po luanin pranë disa dyerve.
Tre vjeçari ishte dërguar menjëherë në Emergjencën e Rahovecit, të cilët më pas e kishin nisur për në Spitalin e Gjakovës.
Aty mjekët e konstatuan vdekjen e viktimës.
“Në emergjencën e Spitalit Rajonal Gjakovë nga prindi është sjellur një fëmijë – viktimë mashkull kosovar i moshës tre vjeçar me lëndime të rënda trupore, ku mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e viktimës. Dyshohet se aksidentalisht një derë e hekurt e mbështetur nga muri është rrëzuar dhe ka goditur viktimën”, thuhet nga Policia.
Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion.