Lëvizja Vetëvendosje dega në Prishtinë e ka quajtur të paligjshëm planin zhvillimor komunal për kryeqytetin.
Në një komunikatë për media, bëhet e ditur se tash e një kohë pushteti komunal në Prishtinë është duke tentuar për të kaluar në diskutim publik planin zhvillimor komunal.
“Tash e një kohë, pushteti komunal në Prishtinë është duke tentuar për ta kaluar në diskutim publik Planin Zhvillimor Komunal. Grupi ynë i asamblistëve e ka kundërshtuar këtë draft-dokument për shkak se i njëjti, në formën si prezent në kuvend, është në kundërshtim me ligjet dhe procedurat e zbatueshme në vendin tone”, thuhet në njoftim.
Derisa, Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar kryetarin e Komunës, Përparim Rama dhe subjektin e tij politik LDK.
“Kryetari Rama dhe subjekti i tij politik, LDK, kanë ftuar për të enjten, 04.07.2023, mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, ku në rend dite janë dy pika, njëra nga të cilat është, përsëri, Plani Zhvillimor Komunal. Vlen të theksohet se përkundër marrëveshjeve të fshehta e të dyshimta që Kryetari Rama dhe partia e tij kanë bërë me parti tjera apo me asamblistë të caktuar, në mbledhjen e kaluar të kuvendit, datë 28 qershor, i njëjti propozim nuk i kishte votat e nevojshme dhe nuk kaloi.”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, LVV-ja e ka quajtur të paligjshëm draft-dokumentin e planit zhvillimor komunal.
“Draft-dokumenti i Planit Zhvillimor Komunal, të cilin në çdo formë dhe me çdo kusht po insistojnë ta kalojnë qeverisja aktuale në Prishtinë, është i paligjshëm, me shumë të meta procedurale e përmbajtjesore dhe është në shërbim të grupeve të caktuara dhe të emrave të përveçëm të pushtetit aktual komunal”, thuhet në njoftim.
LVV-ja ka bërë të ditur se grupi i asamblistëve të LVV-së, në mbledhjen e së radhës nuk do të mbështesin këtë dokument
“Prandaj, njoftojmë opinionin se Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në mbledhjen e së enjtes, nuk do ta mbështes këtë draft dokument. Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje të gjithë këshilltarëve komunal të Kryeqytetit, nga të gjitha subjektet politike, që interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Prishtinës ta vendosin para interesit individual e partiak dhe të mos bëhen mjet për realizimin e qëllimeve personale të z.Rama me shokë”, thuhet në komunikatë./teve1.info/