Me veshje të njëjtë u panë paraditen e së dielës.
E të njëjtë e kanë edhe destinacionin e qëllimin.
Është ky grupi i parë i hanxhinjve nga Kosovë, që të dielën po ia mësyjnë vendeve të shenjta në Arabinë Saudite.
E gjitha kjo, për ta kryer haxhin.
Emocionet për hanxhinjtë e ri, ishin të mëdha.
“Sefte po shkoj aty, hera e parë. Jemi gëzuar shumë që po shkojmë” u shpreh Sanije Dërguti.
Një tjetër besimtar tregon se pse zgjodhi që për herë të dytë ta kryej këtë ritual.
“Unë sot shkoj për herë të dytë dhe ndihem shumë i gëzuar, jashtëzakonisht shumë që po i vizitoj për herë të dytë vendet e shenjta, aty ku ka lind profeti Muhamed dhe në Medine ku ka vdekur. Unë kam qenë në shumë vende të Evropës, por vendet si Meka dhe Medina, janë vende që njeriu nuk mundet mi paramenduar çfarë bukurie kanë”, tha ai.
E ata që i regjistrojnë besimtarët për udhëtimin e jetës, tregojnë për gëzimin e tyre.
“Prej regjistrit që e bën në Bashkësinë Islame të Kosovës, ai menjëherë e ndien veten ndryshe, nuk është ai personi që ka qenë përpara”.
Këtij grupi nga Kosova, iu bashkuan edhe shumë mërgimtar.
“Kam shumë emocione, shumë shokë me kanë pyetur a shkojmë në umre, e ju kam thanë jo kam qejf me shkuar në haxh e mi mbajt ato kujtime të mira të haxhit”, shprehet Ragip Morina- mërgimtar në Zvicer.
Nga Bashkësia Islame e Kosovës, thonë se deri me tani gjithçka shkoi sipas planit.
Ndërsa grupi i parë, përbehet prej 215 besimtarëve, më i riu prej tyre 13 vjeçar.
“Fluturimi do të jetë në ora 10:55. Në këtë fluturim janë diku shatë-tetë komuna që janë pjesëtare, numri është 215. Gjithcka është në rregull”, thotw Fitim Gashi nga BIK.
Grupi të tjera të hanxhinjve nga Kosova do të udhëtojnë mbrëmjen e së dielës dhe ditën e hënë.
Ndryshe, këtë vit nga Kosova u regjistruan 1576 besimtarë, për ta kryer haxhin, i cili është shtylla e pestë e Islamit dhe obligim për te rriturit që i plotësojnë kushtet fizike dhe financiare.