Futbollistët e Rapid Bukureshtit, Albion Rrahmani dhe Ermal Krasniqi do të jenë pjesë e Kombëtares së Kosovës në grumbullimin e qershorit.
Ftesën për dy futbollistët nga selektori i Kosovës, Franco Foda e ka konfirmuar skuadra rumune të mërkurën. Kështu që, dy sulmuesit do të jenë pjesë e Kosovës për ndeshjen miqësore ndaj Norvegjisë që luhet në fillim të muajit të ardhshëm.
Kosova më datën 5 qershor do të përballet me Norvegjinë në Olso, ndërsa lista e plotë e lojtarëve të ftuar nga trajneri Foda pritet të publikohet së shpejti. Krahas Rrahmanit e Krasniqit, i konfirmuar për këtë grumbullim është edhe mesfushori i LASK-ut, Valon Berisha.
Rrahmani, i cili këtë sezon ka shënuar 17 gola për Rapidin ka 4 paraqitje me Kosovën, ndërsa Krasniqi që nuk ishte ftuar në grumbullimin e parë të Fodas, deri më tani ka zhvilluar katër ndeshje me “Dardanët”.