Në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport është miratuar projektligji për provimin e maturës shtetërore.
Në bazë të këtij projektligji, do të ndryshojë mënyra e mbajtjes dhe kushtet provimi të maturës, do të fuqizohet komisioni shtetëror si dhe do të rregullohen kundërvajtjet dhe shkeljet e mundshme gjatë zhvillimit të këtij testimi.
Propozimin e këtij projektligji e bëri Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, për të cilin tha se ky projektligj do të ndryshojë cilësinë dhe do të rrisë rezultatet e provimit shtetëror.
“Ministria ka finalizuar këtë projektligj dhe i njëjti është aprovuar nga qeveria me 2 prill të vitit 2024. Kemi paraparë disa ndryshime në këtë projektligj, përfshirë statutin e strukturave përgjegjëse, riformulimin dhe plotësimin e statusit të provimit të maturës, ndryshimin dhe fuqizimin e përbërjes së komisionit me anëtarë profesional, rregullimin dhe procesit të kundërvajtjeve dhe shkeljeve disiplinore me përputhje me legjislacionin. Ky projektligj do të ndikojë në cilësinë e provimit të maturës në të cilat dimensionet e këtij procesi dhe në vijim do të vazhdojë të organizohet më mirë. Kemi filluar digjitalizimin në aspekt të aplikimit online të sistemimit online të sistemimit të nxënësve në mënyrën se si ata do të vendosen në klasa, d.m.th. nuk do të jenë të njëjtit nxënës në klasa por do të shpërndahen në klasa të ndryshme për të mos lejuar të bisedojnë ose të kopjojnë. Para dy viteve kanë qenë 16 administrues ndaj të cilëve ministra ka filluar marrjen e masave në komuna, sepse komunat janë ato që organizojnë dhe duhet të marrin masa ndaj atyre që bëjnë shkelje. Ne jemi duke synuar që të bëjmë aplikim online të maturantëve, të bëjmë sistemimin e tyre dhe të dhënat t’i kenë në mënyrë elektronike, po synojmë që rezultatet të bëhen në mënyrë publike me printim të certifikatës së maturantëve”, theksoi Nagavci.
Projektligjin e prezantuar nga Ministrja Nagavaci, e ka përkrahur edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, njëherësh anëtar i këtij komisioni, i cili tha se duhet të shtohet vigjilencë në përdorimin e teknologjisë nga maturantët, sepse për ata është shumë lehtë për të kaluar testin pa dije.
“Me kënaqësi konstatoj se meriton të aprovohet dhe me shpresë që niveli i vigjilencës sidomos problematika është në shekullin e teknologjisë informative është shumë e lehtë për njerëzit të cilët mendojnë të kontrabandojnë kalimin e testit pa dije, besoj që në këtë aspekt do të ketë kujdes sepse ligji është në rregull, por në implementimin dhe realizimin të tij do të bëhet e mundur të rritet vigjilenca dhe të arrihen rezultate pozitive”, tha Kokaj.
Ndërkaq, Arijeta Rexhepi, anëtare e Komisionit për Arsim theksoi se duhet të analizohet përqindja e cila merret për bazë si rezultat i maturantëve për pranim në shkolla profesionale.
Në ligjin aktual është vendosur përqindja për pranimin e nxënësve në arsimin e lartë, duke pasur prapë një 30% në shkollën e mesme të lartë, 30% nga testi i maturës dhe 40% nga testi i cili parashtrohet nga arsimi i lartë apo nga njësia akademike ku ata aplikojnë. Sa e keni analizuar këto përqindje duke pas parasysh po të ishte shumë real testi maturës do të kishte arsyetim të mirë, por se si ka shkuar deri tash a kemi nevojë të ndërhymë në përqindjen e tij”, potencoi Rexhepi.
Edhe kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, tha se duhet të rivlerësohet shpërndarja e përqindjeve të shkollës, testit dhe ato të testit pranues duhet të shpërndahen në një mënyrë më të saktë.
Sipas tij, këtu është pika kyçe e zgjidhjes së problemit të rezultatit final.
“Në pikën në të cilën duhet ri menduar pikërisht rishpërndaja e përqindjes së nxënësve për të sistemuar në arsimin e lartë ashtu siç u tha. Komplet suksesi është 30% dhe 40% është testi pranues këtu duhet fokusuar më shumë sepse këtu është gjeneza e problemeve kyçe, sistemimi i nxënësve i gabuar në sistemin e arsimit të lartë. Studentët janë gabimisht edhe nga ambiciet duke u futur në sistem pa pasur përgatitje paraprake, përgatitjet të cilat marrin formë të vlerësimit në bazë të përqindjes, këtu mund të behët një shpërndarje e mire dhe mund të zgjidhet një problem i madh”, shtoi Gola.
Projektligji për testin e maturës i prezantuar nga Ministrja Nagavci është votuar nga të gjithë deputetët e opozitës dhe pozitës, pa asnjë votë kundër./kp