Artistët e operës dhe baletit të Kosovës nuk kanë arritur të performojnë asnjëherë në vendin e tyre, në kushte dhe skenë adekuate për këto arte.
Kështu thonë sopranoja Besa Llugiqi dhe balerina Aulonë Nuhiu.
Kosova ende nuk ka një teatër të operës dhe baletit dhe skenat për t’u mbajtur mend janë vetëm ato të teatrove në vendet tjera të botës, ku kanë performuar.
Besa, debutimin e saj në skenën operistike, rreth 11 vjet më parë e kishte shënuar në Tiranë, pavarësisht dëshirës që këtë ta bënte në Kosovë.
Ajo thotë se ka performuar edhe në vendlindje, por në kushte jonormale.
“Kam pasur rastin të këndoj edhe në Kosovë, por në kushte të tilla të improvizuara, të një skene në sallë të sportit. Nuk është aspak e lehtë për një artist që pretendon të zhvillohet artistikisht, sepse nuk ka hapësirë në vendin e vet”, thotë Besa.
Besa, dikur ishte pjesë e përhershme e trupës së Operës së Kosovës. Ajo thekson se tashmë mund të angazhohet vetëm herë pas here në këtë trup.
Aulonë Nuhiu është pjesë e përhershme e Trupës së Baletit të Kosovës, tash e 17 vjet.
Ajo thotë se streha e balerinëve, Teatri Kombëtar i Kosovës, nuk ka ofruar asnjëherë kushte optimale për punën e balerinëve. Për më shumë, tash e 2 vjet ky teatër është në proces renovimi.
Aulona thekson se ajo dhe kolegët e saj, gjatë karrierës kanë arritur të shijojnë skena të bukura dhe me kushte të mira, vetëm në teatrot jashtë vendit.
“Unë i kam 30 vjet. Balerinët e tjerë janë në moshë edhe më të madhe. Në qoftë se ne e lejojmë veten të presim që shteti ynë të na i bëjë kushtet neve, vitet tona shkuan dhe karriera jonë iku”, thotë Aulonë Nuhiu.
Ideja për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës nisi të institucionalizohej që nga viti 2006.
Por, siç thonë këto artiste, ndërtimi i një objekti të tillë, tashmë është shndërruar në sagë.
Drejtori i Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, thotë se artistët janë të zhgënjyer me zvarritjen e jetësimit të kësaj ideje.
“Këtu më së paku kanë faj artistët, punëtorët, menaxhmenti, të cilët nuk kanë lidhje me këto, por kryejnë punët e veta artistike dhe administrative”.
Ideja për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës nisi të institucionalizohej që nga viti 2006.
Por, siç thonë këto artiste, ndërtimi i një objekti të tillë, tashmë është shndërruar në sagë.
Drejtori i Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, thotë se artistët janë të zhgënjyer me zvarritjen e jetësimit të kësaj ideje.
“Këtu më së paku kanë faj artistët, punëtorët, menaxhmenti, të cilët nuk kanë lidhje me këto, por kryejnë punët e veta artistike dhe administrative”.
Valton Beqiri, i cili asokohe ishte ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, thotë se projekti për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit ishte aprovuar gjatë mandatit të paraardhësit të tij.
“Me atë projekt ne patëm filluar realizimin. Ka nisur zbatimi i projektit. Pastaj, pas meje, kanë ardhur ministrat tjerë, me radhë, dhe nuk është vazhduar (projekti). Kjo ka qenë procedura, kaq”, thotë Beqiri.
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, në kohën kur u vu guri themeltar i Teatrit të Operës dhe Baletit, kishte vetëm katër vjet karrierë profesioniste.
Ai thotë se me një nga koleget e tij, kishte performuar në ceremoninë e hedhjes së gurit themeltar të objektit, në vitin 2009.
“Kemi luajtur një pikë baleti, kur ka nisur gurthemeli i Teatrit të Operës dhe Baletit. Kemi qenë goxha të entuziazmuar dhe të motivuar, meqë e kemi parë se dikush po e kthen kokën kah arti dhe kultura. Për fat të keq, sot jemi në vitin 2024 dhe nuk e kemi teatrin e Operës dhe Baletit”, thekson Kajtazi.