Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se po diskutohen “një sërë opsionesh” në lidhje me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që nga nesër e ndalon përdorimin e dinarit serb në vend.
Osmani tha se do të ketë një dakordim këto dy ditë dhe do të ketë edhe deklarata publike
“Unë jam për atë që zbatimi të jetë i plotë, e jo vetëm në letër. Dhe të gjithë e dinë se për të pasur zbatim të plotë na duhet edhe përkrahja e aleatëve tanë, në mënyrë që të kemi qëndrueshmëri. Pra, mund të bëhen edhe njëra, edhe tjetra. Jam i bindur që njëra nuk e përjashton tjetrën. Mund të ruhen edhe Kushtetuta, edhe aleatët tanë”, tha Osmani.
Për këtë çështje, ajo tha se nuk ka mundur të diskutojë dje me emisarin europian, Miroslav Lajçak.
“Tani, sa i përket kësaj çështje, neni 11 i Kushtetutës kërkon që Kosova në qarkullim dhe në përdorim ta ketë vetëm një valutë. Është për keqardhje që kjo nuk është zbatuar deri tash. BQK e ka kryer punën e vet… Sa i përket zbatimit në praktikë, janë duke u diskutuar një sërë opsionesh, të cilat në njërën anë do ta respektonin nenin 11 të Kushtetutës, por në anën tjetër do të lënë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre, të themi, në llogari të reja, e të tjera, në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate, sepse siç e dini për secilën çështje që ka të bëjë me veriun e Kosovës, me shtrirjen e sovranitetit dhe me sigurinë e shtetit tonë, ne sa herë i kemi aleatët tanë në krah, atëherë tejkalohen këto sfida dhe realizohet mbrojtja e Kushtetutës sonë në tërësi”, tha Osmani para gazetarëve, pas homazheve te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti.
Tutje Osmani ka thënë prapë se vendimin e fundit për Asociacionin e jap Gjykata Kushtetuese.
Osmani tha se për këtë të fundit kanë diskutuar edhe dje në takimin që kishte me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.
“Sa i përket çështjes së draft-statutit të Asociacionit siç e dini nga fillimi që kur ai draft është prezantuar në Republikën e Kosovës, po në të njëjtën ditë i kam prezantuar disa prej shqetësimeve të mija për të gjitha shtetet që kanë qenë të involvuara në hartimin e këtij drafti. Këtë komente, shqetësime i kam komentuar detajisht në takimet e mëvonshme me zyrtarë të lartë të QUINT-it dhe këto i kemi diskutuar edhe dje në takim me z.Lajçakun. Ai i ka mirëpritur ato dhe ka shprehur besimin, se shumica dërmuese prej tyre se paku do të mund të akomodohen. Megjithatë unë mendojë që institucioni i cili përfundimisht do të mund të vendos për përputhshmërinë me Kushtetutën e Kosovës dhe mund të i jap drejtim se si mund të zbatohen në praktike, pa u shkelur kushtetuta këto dispozita është vetëm Gjykata Kushtetuese e shtetit tonë dhe jam e bindur që kurdo që ky draft, pas formalizimit të marrëveshjeve – shkon në Gjykatën Kushtetuese, në atë moment, secili prej nesh si institucione do të kemi mundësinë që të tregojmë argumentet tona pse mendojmë që dispozita të caktuara mund të krijojnë probleme dhe sfida të mëdha në praktikë gjatë zbatimit”, shtoi Osmani.