Autore: Albina Koca
Objekti i Gjykatës Kushtetuese është vizituar shpesh gjatë vitit të kaluar nga zyrtarë të partive opozitare.
Kjo pasi disa ligje të miratuara nga Qeveria janë dërguar për vlerësim në këtë gjykatë.
E për këtë hulumtuesi i lartë ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Lavdim Makshana në një përgjigje për teve1.info tha se në mungesë të numrave një nga mundësitë të cilat i ka opozita është kontestimi i ligjeve në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, akuzat e partisë në pushtet se pse këto ligje po dërgohen në Gjykatën Kushtetuese janë të padrejta karshi opozitës.
“Është shumë e padrejtë të akuzohet opozita se po i dërgon ligjet në Gjykatën Kushtetuese, kjo pasi opozita sa herë që pretendon se me një ligj të caktuar shkelen të drejtat e njeriut apo cenohet pavarësia e institucioneve të pavarura ka të drejtë plotësisht që brenda afateve ligjore t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai. Makshana ka vlerësuar se “legjislatura aktuale shënon periudhën në të cilën më së shumti është debatuar në publik mbi rolin e Gjykatës Kushtetuese për vendimet e nxjerra nga ajo”.
Tutje, ai ka thënë se gjykimi publik i bërë nga zyrtarët publik cenon rëndë pavarësinë e sistemit gjyqësor.
“Kjo sjellje e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ prodhon mosbesim të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Pasi që, pushtetit ekzekutiv dhe ai legjislativ në raport me organet e drejtësisë kanë detyrën e mbështetjes së sistemit të drejtësisë, për aq sa këto pushtete kanë kompetencë dhe të përmbahen nga deklaratat të cilat edhe në mungesë të qëllimit negativ mund të shkaktojnë mosbesimin e qytetarëve në organet e drejtësisë, ka thënë ai.
Ai tha Gjykata Kushtetuese ka gjetur shkelje nga Qeveria dhe Kuvendi në disa raste të iniciuara.
“Sipas Gjykatës Kushtetuese, ligje të caktuara të propozuara nga Qeveria dhe të miratuara nga Kuvendi nuk kanë qenë në përputhje me formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, nuk kanë qenë në përputhje me vlerat, barazinë para ligjit, me të drejtën për mjete juridike dhe mbrojtjen gjyqësore dhe se vendime të caktuara të Kuvendit kanë tejkaluar kompetencën e tij sa i përket mbikëqyrjes parlamentare”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar opozitën se me dërgimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese, po përpiqet të bllokojë “reformat transformuese e progresiste”.
Sipas VV-së, “opozita e paalternativë, vazhdon ta shfrytëzoj Gjykatën Kushtetuese për ta mbrojtur shtetin e kapur dhe për t’i mbrojtur të fuqishmit e ekonomisë dhe privatizimit”.
“Pra, nga njëra anë ajo dërgon Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë dhe atë për Këshillin Prokurorial, kurse në anën tjetër Ligjin për çmimet tavan dhe atë për Fondin Sovran.
Në mungesë të kritikës së mirëfilltë dhe alternativave ndaj propozimeve e vendimeve tona, me qëllim bllokimin e reformave tona transformuese e progresiste vazhdojnë të dërgojnë ligje në Gjykatën Kushtetuese. Kjo nuk ka të bëjë me opozitbërje, kjo është përpjekje e Klubit të Stërvjetëruar Politik që të ruaj grupet e interesit në mënyrë që të ruhet pasuria e tyre”, thuhet në një shkrim të VV-së.
Ndërsa nga gjykata për teve1.info kanë thënë se gjithsej 7 ligje janë në procedurë të shqyrtimit.
Ai që prin është Ligji për Byronë Shtetërore për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme i dërguar nga Partia Demokratike e Kosovës në muajin shkurt të këtij viti.
Me miratimin e këtij ligji krijohet mekanizmi për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme pa pasur nevojë për një dosje penale që ka përfunduar me një dënim nga gjykata.
Subjekt verifikimi i pasurisë do të jenë të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë nëse ekzistojnë dyshime se ajo pasuri është fituar kundërligjshëm.
Ligji përfshin një shtrirje me të gjerë për shkak se verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, pra personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.
Ndërsa, nga Gjykata Supremë është dërguar edhe vlerësimi i përputhshmërisë së nenit 4, paragrafi 2 dhe nenit 438, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.
Kurse 10 deputetë të Kuvendit kanë kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit Nr.08/L-142 Për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore.
Ndonëse është paraqitur si sukses nga Qeveria e Kosovës, Ligji i ri që parasheh rritjen e Pagës Minimale ka hasur në kundërshtime.
Po ashtu, ky Ligj ndryshon shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, si dhe procedurën e vendosjes së pagës minimale.
Ligji përcakton se vlera e pagës minimale do të ketë tatim zero. E më 2 nëntor 2023 nga Ferat Shala dhe nëntë deputet të tjerë është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së Ligjit Nr. 08/L-209 për Investime të Qëndrueshme.
Ndërsa, nga Shefi i Grupit Parlamentare të PDK-së dhe deputeti i LDK-së, Besian Mustafa si dhe 20 deputet të tjerë është bërë kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit Nr. 08/L-180, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Ndërsa këto dy parti kanë dërguar për rishikim edhe Ligjin për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës më 26 dhjetor 2023.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuesei ka hapur rrugë dekretimit të Ligjit për Zyrtaret Publikë, mirëpo ka rrezuar disa nene të cilat kane qenë në kundërshtim me ligjin, i cili gjatë këtij viti është dërguar për rishikim.
Vlerësimit të Kushtetueses i është nënshtruar edhe Ligji për Pagat në sektorin publik, i dërguar nga Avokati i Popullit, pas shumë ankesave nga sindikatat e sektorit publik. /teve1.info