Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjatë dy të tretave të mandatit të tij në qeverisje të vendit, janë mbyllur shumë rrugë ilegale të kontrabandës e trafikimit ilegal, si dhe janë shkatërruar laboratorë të drogës e kriptovalutave, raporton teve1.info
Kurti gjatë një paraqitje në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se janë bërë shumë arritje në integrime evropiane e avancim i legjislacionit në fuqi, derisa e akuzoi Gjykatën Kushtetuese se sipas tij po e mban pa përgjigje tash e nëntë muaj Projektligjin për Vetingun.
“Kemi mbyllur shumë rrugë ilegale për kontrabandë, trafikim e kalim të paligjshëm të kufirit 34 sosh, 26 vetëm në veri të vendit, atje u shkatërruan edhe 9 laboratorë të drogës nga 16 gjithsej në Kosovën dhe 6 laboratorë të prodhimit të kriptovalutave. Në katër komunat në veri ka më shumë siguri, po asfaltohen rrugët e po ndërtohen shtëpi të rjea, përfshirë ato të qytetarëve shqiptarë. Deri më tani janë kryer 2100 konvertime të targave kurse interesimi për pasaporta është rritur. Nga 1 janari pasaporta do të jetë shumëfish më e fuqishme sepse hyn në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave në zonën shenjen nga Bashkimi Evropian. Kjo arritje është rezultat i ligjshmërisë, reformave e qeverisjes sonë të mirë me imazh të lartësuar ndërkombëtarisht. Përmirësimi i indikatorëve nuk është i mjaftueshëm pa sistem të pavarur të drejtësisë, kjo bëhet e mundshme vetëm përmes Vetingut, për çka janë finalizuar amandamentete kushtetuese dhe drafti i parë i projektligjit për Vetingun i cili po vazhdon të jetë në trajtim e pa përgjigje nga Gjykata Kushtetuese tash e 9 muaj”, tha Kurti.
Kurti tha se për 32 muaj të qeverisjes së tij ka rritur të bëhen përmirësime në sistemin shëndetësor e mbështetje për qytetarët.
“Në përballje me pandeminë covid19 kur Kosova nuk kishte asnjë vaksinë, brenda 10 ditëve të para të qeverisjes siguruam mbi 2 milionë vaksina, 8 muaj pas 60 për qind të popullsisë së rritur dhe nga të fundit në rajon u bëmë vendi i parë për nga shkalla e vaksinimit të popullatës. Rritjen ekonomike e shpërndamë tek qytetarë e veçanërisht në përballje me inflacioni dhe krizën energjetike. Mbështetëm subvencionimin faturave të energjisë elektrike, pajisjeve elektrike, studentët, pensionistët, familjet në nevojë, studentët, grave, e peronave me aftësi të kufizuar dhe anëtarët e familjeve pa asnjë të punësuar. Subvencionuam pagën në sektorin privat, bizneset në rritjen e prodhimit e të eksportit, promovimin në panaire ndërkombëtare, faturat e energjisë të jenë më të lira në rajon”, u shpreh Kurti.
Ai tha se sipas Bankës Botërore, Kosova ka pas pakon më të madhe mbështetëse në rajon për inflacion.
“Sipas BB-së Kosova ka pas pakon mbështetëse më të madhe në rajon në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike. Nënat lehona marrin mbështetje për vete dhe fëmijët deri në 16 vjet. 40 mijë nëna të reja që kanë përfituar nga mbështetja mujore dhe 387 mijë fëmijë që kanë filluar ta ndjejnë dorën e shtetit për ndihmën jetike. Arsimi publik të lartë e kemi bërë falas për 43 mijë studentë në bachelor dhe master, po e lidhim shkollimin profesional me tregun e punës përmes arsimit dual. Arsimi dhe aftësimi profesional është një nga projektet më të mëdha”, tha Kurti.
Ai theksoi se Qeveria që e drejton ka investuar edhe në ushtri.
“Ushtrinë e kemi më të fortë se kurrë, kemi ndarë buxhet dyfish me atë se çfarë kishte. I kemi 1852 ushtarë të rinj dhe 600 tjerë i kemi paraparë për vitin e ardhshëm. Ka armatim më shumë sepse investimet i kemi rritur për 191 për qind, gati trefish. FSK tashmë përveç çizmes në tokë ka edhe sy në qiell me dronë Bajraktar”, tha Kurti.
Ai përmendi edhe mbështetjen për fermerët për çka tha se Kosova ka shënuar të mbjella rekorde që nga paslufta.