Kryeministri i Kosovës, ka thënë se Serbia ka dislokuar sistem kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën.
Kurti këtë e ka thënë të dielën në një postim në Facebook, ku ka akuzuar Serbinë për kërcënim të sigurisë së Kosovës.
“Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se në Rashkë të Serbisë, “po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Millan Radoiçiq dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë”.
Sipas tij, më 10 nëntor, Millan Radoiçiq, i cili ishte udhëheqës i grupit terrorist që kreu sulm më 24 shtator në Banjskë, ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të tjer ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Listës Serbe, në të cilin takim sipas Kurtit është kërkuar mobilizim për ta votuar partitnë e Vuçiqit
“Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë. Gjatë këtij takimi përveç deputetëve të Listës Serbe, kanë marrë pjesë edhe kryetari i ri i saj Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq. Aty është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore. Millan Radoiçiq, pas sulmit terrorist të kryer në veri, u lirua brenda ditës që të vazhdonte veprimtarinë e tij paramilitare e terroriste në shërbim të politikës shtetërore të Serbisë kundër Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se “KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, duhet të dalin me raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit, dhe ku dënohet riorganizimi i grupit të Radoiçiqit”