Garuesit e përfaqësueses së Kosovës në karate nuk e kanë nisur mirë pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror. Asnjëri prej garuesve të Kosovës që u paraqitën të martën në Botëror, nuk iu afrua zonës së medaljeve.
Botërori në karate nisi të martën në Budapest të Hungarisë, ndërsa do të mbahet deri më 29 tetor. Suksesin më të madh e arritën dy fituesit e medaljeve të bronzta nga Kampionati Ballkanik, Endrit Beka dhe Fortesa Orana. Ishin të vetmit që kaluan rundin e parë, por jo edhe të dytin.
Endrit Beka në luftën e parë të kategorisë deri 84 kilogramë mposhti garuesin e Taipeit Kinez, Yu-Meng Chung, ndërsa në rundin e dytë u ndal nga gjermani Janne Haubold.
Fortesa Orana e fitoi luftën e parë ndaj garueses së Ukrainës, Anastasiya Stepashko. Por ajo humbi nga Chehinez Jemi e Tunizisë në luftën e dytë të kategorisë mbi 68 kg.
Ndërkohë në luftën e parë u ndal Benjamin Shabani. Ai në kategorinë mbi 84 kilogramë humbi nga karateisti slloven, Stefan Joksimoviq. Në rundin e parë të kësaj kategorie u ndal edhe karateisti kosovar që përfaqëson Shqipërinë, Blodin Pakashtica.
Shqipërinë të martën e përfaqësoi edhe prishtinasi Alvin Karaqi. Karaqi u mposht në luftën e parë nga garuesi i Irlandës, Christopher Crean. Garoi në kategorinë deri 84 kg.
Në kata të pasuksesshëm ishin Alma Loki dhe Ventor Gjuka, garues të Kosovës. “Alma Loki në kata pati një paraqitje të mirë duke mbledhur 36.9 pikë me të cilat nuk mundi të kualifikohet në rundin tjetër. Ventor Gjuka po ashtu pati paraqitje të mirë dhe tuboi 35 pikë të cilat nuk i mjaftuan për të kaluar në rundin tjetër”, shkruan në njoftimin e Federatës së Karatesë së Kosovës.
Kosova do të përfaqësohet të mërkurën edhe me garues tjerë. Në tatami do të paraqiten Albulena Gërvalla, Njomza Ibrahimi, Albinot Selmani, Elhami Shabani, Shpresim Shabani, Hatigje Zejnullahu.
Kosova do të garojë edhe në garat ekipore në të dyja konkurrencat. Nga kampi i Kosovës ka shpresë për medalje, ndonëse kanë pranuar se do të jetë vështirë.