Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në vend.
Siç bën të ditur Policia, tri raste kanë ndodhur në Prishtinë, dy në Gjilan, e nga një në Podujevë, Lipjan dhe Prizren, përcjell teve1.info
Në Prishtinë, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje në familje, është kërcënuar nga i dyshuari, i cili është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Edhe në rastin tjetër në Prishtinë, është arrestuar një person i cili ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Teksa në rastin e tretë po ashtu në Prishtinë, është arrestuar i dyshuari i cili ushtroi dhunë psikike ndaj një burri dhe një gruaje, familjarë të tij. I njëjti gjithashtu është dërguar në mbajtje.
Në Podujevë, një grua ka raportuar se ditë më parë është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Ndërsa në Lipjan, është arrestuar një grua pasi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortit të saj. Pas intervistimit, palët janë liruar dhe rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.
Në Partesh të Gjilanit, është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari serb kosovar, pasi që pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar fizikisht vëllain e tij.
“Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, bën të ditur Policia.
Në rastin tjetër në Gjilan, një i dyshuar është dërguar në mbajtje pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.
Kurse në Prizren, një grua ka raportuar se në vazhdimësi është duke u kanosur nga djali i saj, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /Teve1.info/