Numri i rasteve të raportuara me Sindromën meningjeale ka shënuar rritje gjatë periudhës korrik-gusht krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate.
Andaj, MSH ka bërë thirrje që të rritet vigjilenca sa i përket kontrollit të vazhdueshëm të ujit të pijes dhe klorizimit të tij, kontrollit të shtuar dhe klorizimit të ujit të pishinave.
“Meningjiti mund të prekë këdo që bie në kontakt me agjensin, por disa grupmosha janë më të rrezikuara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, meningjiti prek më së shumti moshat e reja ngaqë sistemi imunitar tek personat e rinj, kryesisht foshnjat, femijet dhe adoleshentët nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar agjensët”, thuhet në njoftim.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale. Ndërsa, si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.
Por cilat janë simptomat e kësaj sëmundje?
Simptomat sipas MSH-së të kësaj sindrome janë të ngjashme me gripin, por që përkeqësohen për një kohë të shkurtër.
“Disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër. Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit. Tek simptomat e sëmundjes përfshihen: të vjella, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje e muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje e kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta, skuqje e lëkurës. Ndërsa tek fëmijët mund të ketë edhe simptoma si frymëmarrja e shpejtuar, irritim dhe të qara për një kohë të gjatë, humbje të përqëndrimit dhe mungesë oreksi”, thuhet në një njoftim.