Nuraje Bllaca, hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), gjatë prezantimit të raportit “Drejtësia Civile 2022” ka theksuar se bazuar në analizën e 20 aktgjykimeve pronësore, del se mesatarja e kohëzgjatjes së trajtimit të lëndëve lidhur me çështjet pronësore në shkallë të parë është 9 vite e 3 muaj.
Sipas saj, vërehet se ka pasur anashkalim të kontesteve pronësore dhe fokusim në raste të kontratave kolektive, duke shtuar se mesatarja e trajtimit të lëndëve që rrjedhin nga kontratat kolektive del të jetë 1 vit e 7 muaj, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Fillimisht e njëjta tha se për qëllime të draftimit të këtij raporti, IKD ka analizuar gjithsej 20 aktgjykime të Gjykatave Themelore të Republikës së Kosovës dhe 20 aktgjykime të Gjykatës së Apelit lidhur me çështjet pronësore.
Ajo tha se në 20 aktgjykimet e shkallës së parë, në 13 prej tyre është aprovuar kërkesëpadia, në tre raste është refuzuar kërkesëpadia, ndërsa në katër raste të tjera është konsideruar e tërhequr padia.
“Në analizimin e këtyre aktgjykimeve shihet se katër raste gjykata ka dhënë aktgjykim në bazë të pohimit. Por, përkundër faktit se në këto raste nuk zhvillohet fare procedurë përjashtimisht konstatimit të disponueshmërisë së kërkesës), aktgjykimet në këto raste janë nxjerrë rreth shtatë vite pas parashtrimit të padive”, tha Bllaca.
Tutje tha se IKD ka gjetur se dy prej rasteve të analizuara janë raste të kthyera në rigjykim dhe rivendosje nga ana e Gjykatës së Apelit, me ç’rast deri tek marrja e një vendimi nga shkalla e parë që nga paraqitjet e padive në njërin rast kanë kaluar 12 vite, respektivisht nëntë vite në rastin tjetër.
Ndërkaq, tha se dukuria e kthimit të shpeshtë të rasteve në rigjykim dhe rivendosje është shumë e theksuar në rastet e kontesteve pronësore dhe se nga aktgjykimet e analizuara del se Gjykata e Apelit në gjashtë raste ka vërtetuar vendimet e gjykatave të shkallës së parë kurse në 14 raste ka prishur vendimet e Gjykatave Themelore të Republikës së Kosovës dhe ka kthyer lëndët civile në rigjykim dhe rivendosje.
Sipas saj, në rastet e kthyera në rigjykim sipas Gjykatës së Apelit shihet se arsyetimi i vendimeve fillon me një shabllon kurse arsyeja më e madhe e kthimit të rasteve në rigjykim, përkatësisht në 10 raste të tilla është sipas Gjykatës së Apelit se vendimet e shkallës së parë janë përfshirë në shkeljen thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182.2, pika n.
Ajo tha se në dy raste të tjera thuhet se vendimet gjyqësore kanë tejkaluar kërkesëpadinë derisa në dy raste të tjera thuhet se vendimet e shkallës së parë janë përfshirë në shkelje të tjera procedurale.
“Nga analizimi i këtyre vendimeve del se nga momenti i marrjes së vendimit nga ana e shkallës së parë e deri tek marrja e një vendimi nga Gjykata e Apelit mesatarisht kalon 3 vite e 5 muaj derisa nga momenti i paraqitjes së padisë e deri tek një vendim i Gjykatës së Apelit mesatarisht koha e trajtimit të rastit për lëndët pronësore është 7 vite e 8 muaj, duke mos llogaritur procedurën sipas rigjykimit, në rastet kur vendimet e gjykatave themelore prishen nga ana e Gjykatës së Apelit”, tha Bllaca.
E që sipas saj, kjo mënyrë e veprimit të sistemit të drejtësisë e zbeh jetësimin në praktikë të një të drejte bazike të qytetarëve, asaj në pronë./BetimipërDrejtësi







