Policia e Kosovës ka raportuar se pas protestës në veri të vendit, është duke u kujdesur për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se protestues në forma të organizuara janë mbledhur para objekteve të komunave në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan, dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në komunën e Zveqanit, e për këtë arsye policia ka njoftuar se është detyruar të përdor sprej-in, raporton teve1.info
“Angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimi sigurisë ndaj qytetarëve, liria e lëvizjes së lirë si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në veri të vendit, do të vazhdojnë të mbesin ndër objektivat dhe detyrat primare të Policisë së Kosovës. Sot, në veri të vendit është paralajmëruar të mbahen protesta/tubime, andaj lidhur me këtë Policia e Kosovës duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare po kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe detyrave të përcaktuara sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi”, thuhet në komunikatë.
“Protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut si në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan për të protestuar, ku para objektit të komunës së Zveqanit protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për tu futur me dhunë në objektin e komunës, ku Policia është detyruar të përdor mjetet e ligjshme si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontrollë”, thuhet më tej.
Tutje, në komunikatë thuhet se Policia e Kosovës është duke menaxhuar situatën aktuale dhe ka ftuar qytetarët që të kenë kujdes të shtuar përgjatë thirrjeve të protestave dhe të mos bien pre e provokimeve./teve1.info