Sot do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të vendit: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, e Zveçan, komuna këto të banuara me shumicë serbe. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna është 45 mijë e 95, teksa për kryetarë garojnë 10 kandidatë, dhe vetëm një është nga komuniteti serb.
Shumica e 19 qendrave të votimit janë të vendosura në kontejnerë, e të cilat do të jenë kryesisht nëpër rrugët kryesore të katër qyteteve veriore, përcjell teve1.info
Lista Serbe, por edhe partitë e tjera që përfaqësojnë serbët në Kosovë kanë njoftuar që nuk do të marrin pjesë. Kjo parti, u bëri të premten thirrje serbëve nga veriu i vendit që t’i “bojkotojnë plotësisht” zgjedhjet lokale dhe “të mos bien në provokimet e regjimit të (kryeministrit të Kosovës) Albin Kurti”.
Teksa, Aleksandar Jabllanoviq, nga Partia e Serbëve të Kosovës, është tërhequr nga gara vetëm tri ditë para zgjedhjeve, edhe pse kandidatura e tij është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Lista Serbe ka bojkotuar pjesëmarrjen në zgjedhje, me arsyetimin se nuk iu janë plotësuar kushtet për të cilat kanë lëshuar institucionet.
Komunat në veri janë pa kryetarë qysh nga nëntori i vitit të kaluar, pasi përfaqësuesit serbë në Kosovë kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet kosovare, si shenjë pakënaqësie pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targat RKS.
Kush janë kandidatët për kryetarë në katër komunat veriore?
Mitrovica e Veriut është komunë në të cilën kanë të drejtë vote 18 mijë e 118 votues, të shpërndarë në pesë qendra të votimit. Kandidatët për kryetar në këtë komunë janë Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, Taulant Kelmendi nga Partia Demokratike e Kosovës, dhe Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13 mijë e 318 votues, të shpërndarë në pesë qendra të votimit, ku kandidatë janë Albulena Behluli-Hetemi nga PDK dhe Lulzim Hetemi nga LVV.
Në Zveçan janë 6 mijë e 998 votues. Kandidatë janë Ilir Peci nga PDK, Sllagjana Pantoviq, kandiate e pavarur dhe Fetah Peci nga LVV.
Në Zubin Potok janë 6 mijë e 661 votues, ku kandidatë janë Izmir Zeqiri nga PDK, dhe Flatron Hasani, LVV.
Reagimet e krerëve të shtetit dhe atyre ndërkombëtarë
Krerët e shtetit të Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, që të dalin në zgjedhje.
Presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti njëzëri kanë ftuar qytetarët serbë që të votojnë, në mënyrë që zëri i tyre “të dëgjohet përmes votës së lirë dhe demokratike”.
Të kundërtën ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, teksa u ka kërkuar votuesve të tregojnë “sa të bashkuar jemi”, duke u thënë kështu që të mos dalin në zgjedhje. Ai po ashtu është shprehur se në këto zgjedhje nuk do të marrin pjesë më shumë se 100 serbë.
Të zhgënjyer me bojkotin e partive serbe në zgjedhje janë shprehur nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka theksuar se është detyrë e Kosovës dhe e Serbisë që të kenë prioritet kthimin e serbëve të Kosovës në strukturat e nivelit qendror dhe lokal.
Ndërsa ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një deklaratë për mediat vendore, ka tërhequr vërejtjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”.
Që këto zgjedhje të zhvillohen në mënyrë paqësore, Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Ndërsa edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë thënë për Tëvë 1 se janë bërë përgatitjet e nevojshme për këtë proces dhe se janë në koordinim me institucionet e sigurisë për mbarëvajtjen e tyre.
Zgjedhjet fillimisht ishin caktuar të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit 2022, por ishin anuluar për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.
Ndryshe, më datë 27 shkurt të këtij viti, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Kjo marrëveshje u përcoll me nënshkrimin e një Aneksi për zbatimin e Marrëveshjes, e nënshkruar në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars. /Teve1.info/