Mbi 45 mijë qytetarë të veriut të Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit të dielën e 23 prillit.
Numri më i madh i votuesve do të jetë në komunën e Mitrovicës Veriore që janë 18 mijë e 118 qytetarë.
Pastaj është komuna e Leposaviqit me 13 mijë e 318 qytetarë me të drejtë vote.
Komuna e Zveçanit me 6 mijë e 998 qytetarë dhe Zubin Potoku me 6 mijë e 661.
E për këtë ditë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte filluar përgatitjet muaj më parë.
E tri ditë para kësaj dite, u bënë përgatitjet e fundit për procesin e votimit të qytetarëve.
Për këtë proces, që do të jenë 19 qendra të votimeve, KQZ-ja kishte informuar se 13 lokacione do të jenë hapësira alternative.
E pikërisht të enjten, këto kontejnerë që do të shërbejnë si qendra të votimeve u vendosën në stacione policore të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zvecanit.
Gjatë qëndrimit të ekipet së TËVË1 në këto anë, u panë mjetet zyrtare bashkë me Policinë e Kosovës duke i bartur këta kontejnerë.
Në rrugët kryesore të Zveçanit, u pa ky vinç me kontejnerët mbrapa.
Me qenë se nuk kishte informacione zyrtare se kur do të vendoseshin, ne vendosëm që t’i përcjellim.
Nga aty, ata e dërguan te njëri nga lokacionet që i kishte paraparë KQZ-ja.
Ky kontejner u vendos në Zveçan Zherovnicë, apo në vendin e quajtur afër bazenit në Zveçan.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës ishin atje për asistim.
Mirëpo, gjatë kësaj ditë kontejnerë nuk u panë në stacionin policor të Mitrovicës së Veriut.
Për të parë nga afër se si do të vazhdojë instalimi i këtyre hapësirave improvizuese, ekipet e TËVË1 dolën në teren edhe të enjten.
As në këtë ditë, kontejnerë të tillë nuk kishte në stacionin policor në qendër.
Mirëpo, këto qendra të vendvotimeve u vendosën në rrugët kryesore të paraparë në listën e KQZ-së.
Dy prej tyre, ishin sistemuar në rrugën Mitrovicë-Jarinjë, në daljen e fshatit Soqanicë.
Komisionarët në asistim nga Policia e Kosovës po bënin përgatitjet e fundit, duke vendosur edhe karriget dhe tavolinat brenda tyre.
E për gjithë këtë ditë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti trajnim me komisionarët.
Me qenë se me komisionarët shqiptarë ishte kryer, të premtën u zhvillua me ata serbë.
E ky takim, u mbajt në thellësi të fshatit Soqanicë e Epërme, në këtë objekt.
Këta komisionarë serb u përgatiten për procesin e votimit dhe numërimit të votave.
Mirëpo, të njëjtit nuk dëshironin të flisnin.
E nga këtu, ne shkuam prapë në Zveçan për të parë a ka pasur ndonjë lëvizje.
Të premten në këtë lokacion, u pa i vendosur edhe një kontejner tjetër.
Edhe këtu, për 24 orë asistim u panë zyrtarë të Policisë së Kosovës.
E vendi i fundit për vendosjen e kontejnerëve ishte rruga “7 Shtatori” përballë “Tre Rrokaqiejve” në Mitrovicën e Veriut.
Edhe këtu ishte procedura e instalimit të tyre nga personat përgjegjës.
Mirëpo, në këtë lokacion në qendër u panë më shumë forca të Policisë së Kosovës.
Ndryshe prej herëve të kaluara, në këto zgjedhje nuk marrin pjesë Lista Serbe.
Kronika e realizuar nga gazetarja Fetije Kamberi