Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci duke folur për njërin nga premtimet e tyre për ndërtimin e çerdheve të reja, tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me komunat, për sa i përket identifikimit të lokacioneve.
Kjo sepse sipas ministres Nagavci, varet shume prej komunave pasi që të njëjtat duhet të identifikojnë lokacionet dhe aprovimin nga Drejtoria e Urbanizmit për ndërtimin e këtyre çerdheve.
“Ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me komunat sepse ku do të ndërtohen cerdhet varet eshumë edhe prej komunave të cilat duhet të identifikojnë lokacionet por edhe të kryejnë aspektet tjera teknike formale siç është psh leja apo aprovimi nga Drejtoria e Urbanizmit që mund të investohet në atë pjesë të miratohet projekti dhe aspekte të tilla”, tha ajo.
Tutje Nagavci në emisionin “Info Nata”, theksoi se kjo çështje është duke u diskutuar në vazhdimësi me Drejtoritë Komunale të Arsimit, me kryeministrin Albin Kurti, kryetarët e Komunave dhe ministrin e Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi.
“Kështu që përtej që kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Drejtoritë Komunale të Arsimit me të cilët kemi shkëmby emaila, ku i kemi diskutuar edhe në mbledhjet më aktive profesionale të drejtorëve komunal. Përveç kësaj kemi planifikuar që në një nga takimet që është me kryetarë të komunave që organizohet në bashkëpunim me ministrin e Pushtetit Lokal dhe me kryeministrin Kurti të diskutojmë për këtë çështje edhe me kryetarë të komunave, në mënyrë që të bashkërendojmë aktivitetet, por edhe të bashkojmë të gjitha forcat që të rritet përfshirja e fëmijëve në të gjitha komunat edhe në zonat më të largëta”, tha ajo.
Teksa si njëra ndër sfidat kryesore në komunën e Prishtinës, sipas Nagavcit, është mungesa e dokumentacionit të nevojshëm nga Drejtoria e Urbanizmit.
“Për ndërtimin e çerdheve sfidat kryesisht kanë qenë se komunat nuk kanë arritë të identifikojnë lokacionet dhe përkundër që ne kemi pasë gatishmëri për të investuar. Nuk është arritur të punohet sa duhet për shkak se nuk ka pasur lokacione të identifikuar nga komunat. Së paku edhe në dy tre lokacione të tjera ku janë identifikuar si nevoja komuna akoma nuk ka arritë që të sjellë leje dhe dokumenatacionin e nevojshëm nga Drejtoria e Urbanizimit, edhe pse në Asamblenë Komunale të Prishtinës është marrë vendimi për ndarjen e lokacioneve”, shtoi ajo./teve1.info./