Përderisa kryeminstri kosovar po shprehet i gatshëm ta nënshkruaj planin evropian për normalizim marrdhëniesh me Serbinë, partitë më të mëdha opozitare LDK e PDK nuk po e mbështesin atë. Ndërkohë ka mbështetjen e plotë të subjektit tjetër opozitarë AAK-së.
Ka mbetur edhe një ditë deri te takimi i shtatë me radhë mes kryeminstrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Kjo në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ky takim pritet të zhvillohet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku të dy palët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Aty pritet të diskutohet për modalitetet e zbatimit të planit evropian, për normalizim marrëdheniesh më dy shteteve ballkanike.
Për Planin evropian, që në fillim u quajt plan franko-gjerman e që mori edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kurti e Vuçiq u pajtuan në parim, në takimin paraprak të 27 shkurtit në Bruksel.
Qysh në atë takim, kryeminstri kosovar ishte shprehur i gatshëm ta nënshkruante marrëveshjen, por që pala tjetër nuk e kishte shprehur këtë gatishmëri.
Për ujdin në të cilën Kurti ishte shprehur i gatshëm ta vënte firmen e tij, nuk po pajtohen dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë.
Disa pika të kësaj marrëveshjeje po i kundërshtojnë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Sipas tyre, me këtë propozim Kosova ka humbur njohjen e ndërsjellë dhe ka pranuar që ta themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
E pavarësisht se u zhvilluan takime, në të cilat diplomati amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escpbar, i takoi veçmas liderët opozitarë, duke shprehur mbështetjen e SHBA-së për marrëveshjen e bazuar në planin evropian, këto dy subjekte politike nuk ndërruan qëndrime.
Madje Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e Kryetari e PDK-së, Memli Krasniqi kanë deklaruar se edhe po të vinte kjo marrëveshje në Kuvend, ata nuk do ta votojnë atë.
Megjithatë është një parti opozitare paralamentare, që po i jep mbështetje këtij plani.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se kushdo që e kundërshton këtë plan, sipas saj i bënë dëm vendit.
Në krejtë këtë mes, politologu Dritëro Arifi, thotë se të shtunën nuk do të ketë nënshkrim, por vetëm pajtueshmëri të vazhdohet me planin e zbatimit.
E ajo palë që e refuzon këtë sipas tij do të ketë sanksione.
Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetsimin e Bashkimit Evropian kishte nisur në vitin 2011. Proces ky që fillimisht kishte negociatat e nivelit teknik, për të kaluar më pas në nivel politik.
Kronikë e realizuar nga gazetarja, Valëza Sylejmani







