Presidentja e vendit Justina Shiroka-Pula e ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas njoftimit, presidentja ka pranuar gjatë ditës propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, si sponsorizues i ligjit, për t’i dhënë Kuvendit mundësinë e rishqyrtimit të tij.
Ajo ka kërkuar vëmendje të veçantë për dispozitat që lidhen me juridiksionin, mandatin e Speciales dhe të drejtat kushtetuese të të gjykuarve.
Para këtij vendimi të presidentes, PDK i kërkoi asaj që ta rikthejë në Kuvend për rishqyrtim këtë ligj.
Sipas njoftimit të PDK-së, kërkesa vjen pas konsultimeve të gjera, me qëllim të plotësimit të disa dispozitave dhe forcimit të sigurisë juridike të ligjit, si dhe garantimit të të drejtave kushtetuese të katër ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Pas kthimit të ligjit në Kuvend i ashpër me kritika ka qen kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Na fyet, na shpallët tradhtarë, shkuat aq larg sa e paraqitët LDK-në si kundërshtare të UÇK-së. I vendosët edhe emrat tanë përkrah atyre të Listës Serbe, sepse thamë atë që nuk donit ta dëgjonit; të vërtetën. Ky ligj nuk kishte dhe s’do të ketë asnjë efekt juridik. Mund të na sulmojnë nga të gjitha anët, por qëndrimet e LDK-së i kanë qëndruar provës së historisë. Do t’i qëndrojnë sërish sepse ato nuk përcaktohen nga vërshimet e momentit, por nga bindjet mbi Republikën. Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Ajo mbrohet me punë e me mend. Jo kështu”
Për situatën e krijuar, gjatë ditës ka folur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.
“Për të shamgur situata të tilla, ne kemi insistuar që të mos ngutemi në procedimin e këtij ligji kaq të rëndësishëm”, tha ajo.
Në Partinë Demokratike të Kosovës thonë se ligji për Dhomat e Specializuara është i një rëndësie të veçantë dhe se deputetët duhet ta respektojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
“Nëse kërkesa është nga presidentja në këtë rast, që ligji duhet të rishqyrtohet, të ri-amandamentohet, do të thotë secili deputet duhet ta japë kontributin”, u shpreh Musliu
Kritik për kthimin e ligjit është shprehur edhe deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj.
“Loja me ligjin, pra është një ofendim tani kthimi prapa i ligjit, nuk e kuptoj këtë. Pse duhet me na ndodh kjo? Pra, pas gjithë atyre përpjekjeve, përplasjeve, vërtet është një ofendim i radhës kthimi i ligjit prapa. Nuk e kuptoj prapë pse duhet me ia bërë Kosovës, vendit, pse duhet me kaluar tema të tjera, pse duhet ende me vazhduar kjo tallje me ne, me parlamentin, me qytetarë”, tha Haradinaj.
Kuvendi i Kosovës e miratoi plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara më 6 tetor.






