Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë ditës së premte pritet t’i takoj krerët e partive opozitare në Kosovë, raporton teve1.info
Takimin e Lajçakut me kryetarin LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj partie, Sibel Halimi.
Sipas saj, takimi do të ndodh në orën 14:45.
Lajçak sipas burimeve të teve1 pritet që të takohet edhe me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi në orën 10:45 dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj në orën 12:00.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak të enjten gjatë vizitës në Kosovë takoi presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar ankesin e zbatimit të Propozimit evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Lajçak takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e quajti konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm, gjersa në një deklaratë para gazetarëve theksoi se pritshmëritë e tij në takim me të parin e ekzekutivit janë përmbushur sa i përket asaj se si e sheh Kosova zbatimin e planit të Propozimit evropian për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Me kryeministrin Kurti patëm një bisedë konstruktive, shumë të rëndësishme dhe të dobishme. Po ashtu u takova me presidenten Osmani, me të cilën pata bisedë dhe do të takohem edhe me krerët e opozitës dhe bashkësinë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të marrë informacione se si Kosova e sheh zbatimin dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë kontekst”, ka theksuar Lajçak.
Lajçak tha se në rast se të dyja palët pajtohen, më 18 mars pritet të nënshkruhet marrëveshja.
I dërguari i BE-së në një intervistë për “Context” në ATV ka folur edhe për çështjen e Asociacionit.
Ai tha se kryeministrit Kurti i ka dhënë 15 modele evropiane për Asociacionin, të cilat modele nuk kanë çuar në mosfunksionim te shtetet.
Lajçak tha se është koha për të ndryshuar narrativën nga Kurti dhe se në vend se të thuhet se çka nuk duhet të jetë Asociacioni, të shihet si mundësi për të përmirësuar cilësinë në komunikim ndërmjet Qeverisë dhe serbëve të Kosovës.
“Unë e kuptoj se kjo është një çështje e ndjeshme, në Kosovë për zotin Kurti. Por është koha ta ndryshojmë narrativën. Dhe në vend se të thuhet se çka nuk duhet të jetë asociacioni, të shihet si mundësi për të forcuar dhe përmirësuar cilësinë në komunikim ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës, dhe po ashtu të ketë transparencë në marrëdhëniet ndërmjet serbëve të Kosovës dhe Serbisë, në përputhje me normat ekzistuese, standardet dhe modelet evropiane”, ka deklaruar ai.