Propozimi i planit gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi nuk parashikon asnjë “Republikë serbe” në tokën e Kosovës.
Kështu thotë në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.
Ai ka theksuar se Gjermania i gëzohet rezultateve pozitive të dialogut në takimin e Brukselit ku palët deklaruan se pranojnë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Ai theksoi se në dhjetë ditët e ardhshme, Kosova dhe Serbia pritet bëjnë përparim vendimtar, në mënyrë që të sqarohet mekanizimi i implementimit të marrëveshjes.
Rohde ka thënë se gëzohet shumë për rezultatet pozitive të dialogut në takimin e nivelit të lartë, që u mbajt të hënën në Bruksel.
“Siç e thatë dhe ju, të dyja palët janë deklaruar se pranojnë propozimin e Bashkimit Evropian, i cili është përpiluar me iniciativën gjermano-franceze. Siç e dimë, tashmë edhe Qeveria gjermane e mbështet shprehimisht dialogun, që po udhëhiqet nga BE-ja dhe përpjekjet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Propozimi është një mundësi e madhe për të bërë një hap të madh përpara për arritjen e një normalizimi gjithëpërfshirës dhe kjo mundësi duhet të shfrytëzohet nga palët. Prandaj, ishte shumë e rëndësishme që palët u takuan në Bruksel dhe u pajtuan në parim për pranimin e këtij propozimi, Megjithatë, disa çështje thelbësore ende kanë mbetur të hapura. Kështu, Kosova duhet të tregohet e gatshme të flasë lidhur me Asociacionin e komunave serbe dhe tani ajo që mbetet është implementimi i aneksit të propozimit, sepse pa u pajtuar për zbatimin e aneksit zor se do të jetë i mundur zbatimi i marrëveshjes. Tani presim që bisedimet të vijojnë në mënyrë konstruktive dhe të dyja palët, të themi ashtu, të tregojnë angazhim politik”, ka thënë ambasadori.
Ndërsa, nëse propozimi franko-gjerman për Kosovën është zgjidhja përfundimtare për Kosovën, Rohde ka thënë se ky është vetëm një hap në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Jo, nuk është, nuk e sjell atë! Ne e kemi thënë në mënyrë shumë të qartë se kjo është vetëm një hap i ndërmjetëm në rrugën drejt normalizimit të plotë dhe gjithëpërfshirës. Pika kryesore e këtij plani, thënë ashtu, është vendosja e trenit në binarë të rregullt dhe nëse marrëveshja do të zbatohet, atëherë i jemi afruar qëllimit pasi kjo është njohje de-fakto e Kosovës nga Serbia”, është shprehur Rohde.
Sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe i cili parashihet në marrëveshjen e dakorduar në Bruksel, Rohde tha se nuk e dëshiron një ‘Republikë serbe’ në Kosovë.
“ Tani unë nuk dua të deklarohem për gjëra hipotetike, por mund të them një gjë: ka një obligim që është marrë përsipër më herët për Asociacionin. Mirëpo, ne e kemi thënë hapur dhe në mënyrë krejt të qartë si partnerë dhe miq të ngushtë të Kosovës, pra ne pesë vendet e Kuintit, e kemi bërë të qartë atë çfarë nuk duam dhe çfarë nuk mund të ndodhë, e kjo është një “Republikë serbe” në tokën e Kosovës. Kjo pra, është diçka që as mund të merret me mend dhe larg çdo parashikimi. Ajo që mund të kalojë, për shembull, është ajo që para disa muajsh propozoi një organizatë joqeveritare gjermane: “Fondacioni Friderich Ebert” dhe unë deri më sot, nuk kam dëgjuar askënd, që të më thotë se ky propozim i “Fondacionit Fridirch Ebert” është në kundërshtim me vendimin e Kushtetutës së Kosovës të vitit 2015. Ajo që tani do të kisha dashur, është që Kosova të përmbush obligimin që ka marrë dhe të propozojë vetë një statut për Asociacionin. Kjo është një obligim që ka marrë Kosova dhe jemi në pritje të kësaj iniciative”, është shprehur ai./RTK/