Në Bruksel sot do të zhvillohet takimi i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, do të zhvillojnë takime ndaras me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri dhe me të dërguarin e posaçëm për dialogun Miroslav Lajçak.
Pas takimeve të ndara të cilat pritet të nisin nga ora 15:00 siç ka njoftuar BE, ku do të diskutohet për propozimin e Bashkimit Evropian për arritjen e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kurti dhe Vuçiq do të zhvillojnë takim të përbashkët me ndërmjetësimin e dy zyrtarëve të lartë të BE-së, shkruan teve1.info.
Disa ditë para këtij takimi i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se plani franko-gjerman është “merre ose lëre”. Bashkimi Evropian ka paralajmëruar edhe sanksione për palët që refuzojnë këtë plan i cili ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Si BE ashtu edhe SHBA disa ditë para këtij takimi kanë theksuar se ka ardhur koha që të pranohet plani franko-gjerman
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke pranuar këtë plan ka thënë se është një bazë e mirë për të ecur përpara, ndërsa që ka propozuar edhe gjashtë kushte për të themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ai për takimin e të hënës kishte thënë se beson që palët do t’i përmbahen propozimit dhe jo interesit të njërës palë.
Para takimit të sotëm, me Kurtin e Vuçiqin ka biseduar edhe Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.
Ai ka kërkuar nga palët konstruktivitet duke dhënë mbështetjen për planin franko-gjerman.
Për takimin ka folur edhe presidenti serb, i cili ka thënë se do t’i përmbahet “vijave të kuqe” sa i përket Kosovës.
Ndërsa dy partitë opozitare në Kosovë, PDK e LDK, kanë thënë se Kurti do të nënshkruaj një plan i cili nuk i sjellë shumë dobi Kosovës dhe me të cilin do të formohet Asociacioni. Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka dhënë mbështetje planit franko-gjerman.
Ky plan në draftet që është prezantuar nuk parasheh njohjen e mënjhershme të Kosovës nga ana e Serbisë, e cila gjë pritet të ndodhë pas një kohe. Por, sipas kryeministrit të Kosovës, nga ky plan Serbia e ka obligim njohjen e Kosovës si kusht për anëtarësimin në BE.
Disa nga pikat e planit të BE-së.
-Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e vendosura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, posaçërisht nga ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë së tyre, autonomisë dhe integritetit territorial, të drejtës për vetëvendosje, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimit.
-Të dyja palët do t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.
-Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
-Të dyja palët do të mbështesin aspiratat e tyre respektive për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian./teve1.info/