Mbrojtësi i të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq, avokati Faruk Korenica, nuk ka arritur që t’i sigurojë disa dëshmitarë, të cilët i kishte propozuar që të dëgjohen në gjykimin për vrasjen e politikanit serb, tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.
Për këtë arsye, nga zyra e gjykatësit të rastit Valon Kurtaj, kanë bërë të ditur se seanca e paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është anuluar.
Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.
Në parashtresën me të cilën avokati Korenica iu ka drejtuar gjykatës, thuhet se i akuzuari Spasojeviq ka rënë në kontakt me tre dëshmitarë të propozuar- eprorë në sektorin për veprat penale të Departamentit të Përgjithshëm, me lutje që të japin adresat e tyre, mirëpo të njëjtit për shkak të situatës politike janë larguar nga vendet e punës ku kanë punuar.
“Mjerisht, njerëzit kanë refuzuar që të paraqiten pranë trupit gjykues me arsyetim se kanë frikë se disa persona janë të gatshëm të veprojnë kundër integritetit fizik ndaj të njëjtëve dhe anëtarëve të familjeve të tyre nëse pranojnë që të dëshmojnë në këtë çështje penalo-juridike”, thuhet në parashtresën e avokatit Korenica.
Gjithashtu, në këtë shkresë thuhet se ata kanë premtuar se nëse situata në veri përmirësohet, atëherë do të jenë të gatshëm të dalin para trupit gjykues.
Edhe seanca e paraparë që të mbahet më 23 shkurt 2023 është anuluar për të njëjtën arsye.
Seancat e radhës për këtë rast janë të caktuara më 14 dhe 15 mars 2023.
Së fundi, Gjykata Themelore në Prishtinë, ua ka ndërprerë të gjitha masat e sigurisë të akuzuarve Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.
Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.
Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.
Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Marko Roshiq, duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, duke bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit Spasojeviq, Basara, Bojiç, Veselinoviç, dhe Radoiçiç, në atë mënyrë që me veturën e tij të llojit “Santa Fe”, ka përcjellë çdo lëvizje të tani të ndejrti Ivanoviq, para vrasjes së tij, ku pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa Fe”, ngjyrë e zezë. Kjo veturë thuhet se pas vrasjes së viktimës e ka përcjellë edhe vëllanë e viktimës Mirosllav Ivanoviq, e njëjta veturë është në pronësi dhe përdorim të pandehurit Roshiq dhe vetura e përmendur parkohet tek restoranti “Grey” që është pronë e të pandehurit Milan Radoiçiç.
Aktakuza thotë se i pandehuri Rade Basa, në cilësinë e zyrtarit policor, konkretisht hetues në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë- Veri, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër dhe i njëjti duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, njëkohësisht si hetues policor, ka bashkëpunuar ngushtë me Zheljko Bojiq dhe me grupin kriminal të organizuar e që është udhëhequr nga Milan Radoiçiç, nga i cili grup ka marrë urdhra për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë-provat, dhe nga grupi kriminal është angazhuar që t’i fsheh gjurmët e krimit, t’i selektojnë rastet nën hetim, ku në ato raste ku pjesëtarët e grupit kriminal të Milan Radoiçiç, kanë qenë në cilësinë e të dyshuarve, nuk i ka hetuar me qëllim që ato raste të mos zbardhen dhe të mbesin të pazbuluara, me ç’rast me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.
Për të pandehurën Silvana Arsoviq, thuhet se si anëtare e grupit kriminal të organizuar, duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit që kanë qenë në koordinim për vrasjen e Ivanoviq, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke bërë krijimin e kushteve dhe mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që në kohën e aktit të kryerjes së vrasjes të Ivanoviq, e pandehura ka qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyret e SDP-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u ç’kyçur nga rryma, me ç’rast u është mundësuar lehtësim të dyshuarve që të mos incizohen nga kamerat e sigurisë, kur të kryhet akti i vrasjes ndaj të ndjerit Ivanoviq. E njëjta thuhet se me datën 16 janar 2018, në ora 08:16, menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit, i ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP, e cila ka qenë duku punuar si administratore në këto zyra dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja, raporton Betimi për Drejtësi.
Me këtë të pandehurit, sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga nenin 283, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRPK-së lidhur me veprat penale vrasje e rëndë sipas nenit 179, paragrafi 1.9 të KPRK-së dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 442, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Tutje, aktakuza thotë se i akuzuari Dragisha Markoviq, me datën 16 janar 2019, në cilësi të zyrtarit policor, pa autorizim i ka vënë në dispozicion personit tjetër informatën, e cila përbën fshehtësi zyrtare, në atë mënyrë që derisa ishte në detyrë zyrtare nga vendi i ngjarjes, ku edhe kishte ndodhur vrasja e Ivanoviq, me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të asaj informate, jashtë territorit të Republikës së Kosovës, duke i raportuar një zyrtari policor në shtetin e Serbisë ende pa u konfirmuar lajmi se është vrarë tani i ndjeri Ivanoviq.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.
Ndërsa, Jovanoviq, gjithashtu akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi të njëjtit me datën 10 shkurt 2018, sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse dhe gjatë kontrollit të banesës së tij, është gjetur dhe konfiskuar një armë e markës TT, e kalibrit 7.62 mm, dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa leje.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.