Prokurorja e Prokurorisë Speciale në Departamentin e Krimeve të Luftës, Drita Hajdari, ka bërë të ditur se si prokurori kanë pranuar rreth 1000 raste për krime të luftës, si dhe dita ditës ka ende raste të reja të cilat i pranojnë.
Ajo ka thënë se kanë trashëguar numër të madh të lëndëve nga EULEX-i, ndërsa që numri i prokurorëve për këto raste është shumë i vogël.
“EULEX-i i ka pasë disa raste që i ka trajtu, ku janë ngrit aktakuza, janë mbajt gjykime. Përfundimisht në vitin 2018 neve na janë dorëzu lëndë të EULEX-it edhe ato të mbetura nga UNMIK-u, ku jemi ballafaquar me një problem tejet të madh dhe me numër të madh të lëndeve, kemi trashëgu mbi 900 raste për krime lufte, dosje të të zhdukurve, etj”, ajo ka treguar se në Kosovë në këtë kohë kanë qenë vetëm dy prokurorë të caktuar për krime të luftës.
“Përveç 900 rasteve që i kemi trashëguar nga EULEX-i, ne në vazhdimësi kemi pranuar raste të reja, madje dita ditës pranojmë ende raste të reja për krime të luftës. Kështu që numri është rreth 1000 raste”, ka deklaruar ajo në programin “Herët” në Tëvë1.
Nga këto raste ajo ka bërë me dije se kanë arrit me i ngritë disa aktakuza, mirëpo këto raste kanë qenë në situatë kur kanë arrit me siguru edhe prezencën fizike të të pandehurit, pasi që sipas saj shumica e krimineleve pas luftës kanë ikur jashtë Kosovës.
Lidhur me këtë ajo ka deklaruar se ka ndodhur që INTERPOL-i ka arrit t’i arrestojë disa kriminelë jashtë Kosovës.
Hajdari, ka treguar se pse është dashur që të pritet pothuajse 20 vite të ndryshohet kodi penal, në mënyrë që tu lejohet dhe tu jepet hapësirë ose mandati që si prokurori të fillohet me hetime për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Sipas saj, janë dy çështje: e kompetencës, dhe ajo e kodit penal dhe gjykimit në mungesë.
“Sa i përket kompetencës, ne gjyqtarët nuk kemi pasë të drejt t’i trajtojmë këto raste, fare nuk kemi pasë qasje në krimet e luftës”, ka deklaruar Hajdari./teve1.info/