Pas nënshkrimit, kryeministri i vendit, Albin Kurti para mediave ka thënë se sot po bëjnë hapin e parë drejtë anëtarësimit në organizatën më të madhe.
Sipas tij, e ardhmja e Kosovës është brenda BE-së, raporton Teve1.info
“Bazuar në aspiratat dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë për paqe, liri dhe barazi, orientimin tonë të qartë evropian euroatlantik, besimin në vlerat fondamentale të BE-së, konsensusin shoqëror dhe politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda Bashkimit Evropian. Sot po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes dhe prosperitetit në Evropë, Bashkimin Evropian”, tha ai.
Shefi i ekzekutivit të Qeverisë deklaroi se aplikimin për anëtarësim në BE do t’ia dorëzojnë presidentes çeke të BE-së në Pragë.
“Aplikimin për anëtarësim në BE të nënshkruar sot nga krerët e institucioneve të Republikës sonë, do t’ia dorëzojmë presidentes ceke të BE-së në Pragë. Është ky moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri. Progresi do të varët nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë”, theksoi Kurti.
Më tej, ai tha se angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm.
“Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Prandaj angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm e përkushtimi i secili i domosdoshëm. Ne do të ecim përpara me meritën tonë. Pengesat dhe sfidat drejt anëtarësimit i kalojmë më zhvillim demokratik dhe me progres shoqëror”, përfundoi Kurti. /Teve1.info/