Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Nazmi Kolgeci, ka rrëfyer për sfidat dhe përgjegjësitë gjatë operimit të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Ekrem Neziri dhe Alban Rashiti, të cilët ishin plagosur në dy sulme të ndryshme në veri të vendit.
Në një intervistë për KosovaPress, Kolgeci ka treguar se të dy policët, njëri nga Ferizaj dhe tjetri nga Gjilani, janë operuar me sukses nga ai dhe ekipi mjekësor. Sipas tij, aktualisht të dy janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Rrëfimi i Kolgecit rikthen në vëmendje dy ngjarjet e rënda në veri të Kosovës, ku pjesëtarët e Policisë u përballën me sulme të armatosura gjatë ushtrimit të detyrës.
Bëhet fjalë për policin Ekrem Neziri, i cili ishte plagosur më 8 dhjetor 2022, si dhe Alban Rashitin, i plagosur gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.
Ndërkaq, Rashiti ishte plagosur gjatë sulmit të një grupi të armatosur serb në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Sulmi i 24 shtatorit 2023 ishte një nga ngjarjet më të rënda të sigurisë në veri të vendit.
Të dy pjesëtarët e Policisë kishin nevojë për ndërhyrje kirurgjike, ndërsa në njërin prej rasteve ekipi mjekësor kishte arritur të largonte edhe një predhë nga trupi i policit të plagosur.
Kolgeci ka theksuar se ndërhyrjet kirurgjike në raste të tilla bartin përgjegjësi të madhe, pavarësisht përvojës profesionale të kirurgëve, veçanërisht kur bëhet fjalë për plagë të shkaktuara nga armët e zjarrit.
“Dy policë në veri, mandej një i Gjilanit. Po, unë i kam, fatin e mirë apo të keq, të dy betejat që janë zhvilluar në pjesën veriore, unë i kam operuar të dy policët të cilët kanë qenë të lënduar me armë zjarri. Njëri ka qenë nga Ferizaj, tjetri ka qenë nga Gjilani, të dytë i kam operuar, dhe për fat të mirë të dytë janë shumë mirë. Është përgjegjësi shumë e madhe, pavarësisht eksperiencës. Tash, të flasim te intervenimi i parë. Kur ka ardhur në sallën e operacionit ka qenë domethënë mjaft mediatike, sepse e dinim që kemi me hy në sallën e operacionit dhe kishte shumë gazetarë që prisnin jashtë. Por për juve dhe për dëgjuesit e juve, duhet ditur se kur hymë në sallën e operacionit edhe pjesët e trupit të huaj, plumbave apo pjesë të tjera janë shumë problematike. Nganjëherë mund të ndodhin raste që kemi hyrë edhe ka qenë shumë problem me e gjetur. Sepse nganjëherë për një diçka të vogël nuk ia vlen për me kërkua me dëmtua organet e tjera për me nxjerr një predhë. Edhe i vetëdijshëm për këtë, unë kam pasur në atë kohë meqenëse kalonte edhe një kohë e atëhershme kur e kemi bërë këtë intervenim. Për mua ka qenë mjaft problematike, duke u bazuar në atë që kemi pasur mjaft gazetarë jashtë. Edhe njerëzit nuk e dinë që për shembull mundet me u fut brenda edhe mos me e nxjerr. Mirëpo, për fat të mirë, ne e kemi nxjerrë, kemi hyrë në intervenim kirurgjik, e kemi ndalë, kemi bërë punën tonë edhe normalisht edhe pjesën e trupit të huaj e kemi nxjerrë jashtë. Një polic i cili ka qenë një muskuloz edhe kur janë kështu muskulozë është pak më problem edhe për neve si kirurg. Po megjithatë, unë jam shumë i kënaqur që kemi arritur, e kemi shpëtuar faktikisht policin edhe e kemi stabilizuar gjendjen e tij”, tha Kolgeci.
Duke folur për ndërhyrjet, Kolgeci ka shpjeguar se heqja e predhave nga trupi i pacientit mund të jetë proces i ndërlikuar. Sipas tij, kërkimi i tyre në disa raste mund të shkaktojë dëmtime shtesë në organet përreth.




