Sipas komunikatës së lëshuar nga Prokuroria, të dyshuarit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” si dhe “Shmangie nga tatimi”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit nga viti 2020 deri më 4 gusht 2022, përmes Agjencisë Turistike “Prishtina Jet sh.p.k”, i kanë vënë në lajthitje 242 bashkatdhetarë përmes paraqitjes së fakteve të rreme u kanë shitur bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga Gjermania Zvicra për në Prishtinë dhe anasjelltas.
“Përmes reklamimit në ëebsajtin e tyre dhe sms-ave u kanë dërguar të dëmtuarve oferta joshëse për blerje të biletave fiktive me një çmim më të lirë se sa çmimi real, të cilat fluturime nuk janë realizuar asnjëherë ngase nuk kanë qenë të planifikuara e as të rezervuara apo të konfirmuara në sistemin e fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë,.
S.Z. dhe N.H kanë krijuar një xhirollogari bankare në një bankë në Lucern të Zvicrës, të cilët në këmbim të një kompensimi prej 4 Euro për çdo transaksion kanë mundësuar shitjen e biletave fiktive të dëmtuarve në emër të agjencisë, ku pastaj mjetet e mbledhura nga shitja e këtyre biletave, prej qindra mijëra eurosh, i kanë transferuar në xhirollogaritë bankare të agjencisë në Prishtinë dhe në llogari tjera të pandehurit M.K.
“Kurse shumën prej 26,000.02 CHF i kanë transferuar në llogarinë bankare e të pandehurit N.H., çka me këtë të dëmtuarve, u kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 165,246.00 €, si dhe 56,981.00 CHF”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, i pandehuri M.K., nga viti 2020 e deri më 6 maj 2022, në cilësinë e personit përgjegjës të subjektit afarist, respektivisht Agjencionit turistik “Prishtina Jet Sh.p.k”, i njëjti me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka bërë shmangie nga pagesa e tatimeve të parapara me legjislacionin tatimor në Kosovë.
“Pas një kontrolli të bërë në lokalin e tij nga ana e inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, është konstatuar se i pandehuri ka deklaruar rrejshëm të hyrat dhe arkëtimet e realizuara nga qarkullimi i biznesit të tij tek organet kompetente, respektivisht te ATK-ja, për periudhën e lartcekur kohore, çka me këtë ka bërë shmangie tatimore dhe ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 24,928.38 €”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë, po ashtu, ka propozuar të konfiskohet dobia pasurore e fituar nga veprat penale, dhe atë shuma prej 35,000.00 CHF, 4,026.00 €, një veturë e tipit “Shkoda” e vitit 2017, shuma prej 165,246.00 € dhe 56,981.00 CHF, si dhe të pandehurit të urdhërohen për kompensimin e dëmit të shkaktuar të dëmtuarve sipas fletëpagesave/provave materiale të këtij rasti penal.