Përmes një postimi në Facebook, Ismaili tregoi se së bashku me ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli kishin përgatitur “sendëiçat e drekës dhe muhabeti i bëri më të shijshëm”.
“Këtë festë të madhe të shqiptarëve e kalova në Hagë me Kadri Veselin. Sendviçat e drekës i bëmë bashkë, e muhabeti i mirë i bëri edhe ma të shijshëm. Unë flisja dhe e kujtoja të kaluarën, por ai si gjithmonë ma i interesuar me fol për të ardhmen. E kushdo që e njeh nga afër, e din që nuk të len me ikë pa një fjalë të mirë. ‘Keni shumë çka me përmirësu në Kosovë, e kjo duhet të ja u definojë patriotizmin që me punu për të mirën e shtetit e mos me koritë familjen’, më tha”, shkroi ai.
Tutje, ai tregoi se ka pasur takime edhe me Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn.
“Fati deshi që kësaj radhe të takoj edhe udhëheqës të tjerë të UÇK-së që po mbahen në Hagë. Rexhës ia urova festën dhe e përgëzova për ekspozitën që e ka hapë në Prishtinë. I erdhi mirë që ekspozita e tij është pritë mirë dhe më qerasi me një kafe. Pastaj e takova edhe bacën Jakup me familjen e tij që gjithashtu kishin ardhë për vizitë. E takova edhe Hysin që e kishte pasë një operacion tepër të vështirë para disa javësh si pasojë e plagëve të luftës. Djemtë e Hysit më treguan edhe për problemet me vizat 3 ditore që po i lëshohen për me vizitu babanë e tyre. Padrejtësi mbi padrejtësi. Në fund e takova edhe Nasimin që kishte përgatitë ushqim tradicional për festë, por që nuk arrita ta provoj sepse koha e vizitës më përfundoi”, shkroi ai.
Ndërkaq, nënkryetari i PDK-së bëri të ditur se me ish-presidentin, Hashim Thaçi nuk ka pasur mundësi të takohej.
“Më mbeti shumë merak që nuk e pashë Presidentin Thaçi kësaj here, sepse ashtu do të ishte kompletu vizita. E planifikova që herën e ardhshme ta takoj enkas. U ndava nga Kryetari Veseli duke mendu se qysh Zoti i ka beku me karakter të pathyeshëm. Me buzëqeshje si gjithmonë ‘Të fala andej, na jemi shumë mirë, ju mbajuni të fortë!’ Ne me u ba të fortë?! Derisa vështirësia e situatës edhe njëherë është mbi supet e tyre, ata sërish na demonstrojnë se si duhet përballur me sfidat që na ballafaqon jeta, e në veçanti mbrojtja e interesave kombëtare”, shkroi ndër tjerash ai./teve1.info/