Disa dekore janë vendosur, e të tjera do të vendosen në ndërkohë në sheshet e kryeqytetit.
Për këtë punë, përmes procedurës së negociuar, Komuna e Prishtinës ia ka ndarë 97 mijë e 57 euro operatorit ekonomik “Te Fatosi”.
Ndonëse në garë kishin marrë pjesë tre operatorë ekonomikë, Komuna ka përdorur kriterin e çmimit më të ulët për dhënien e kontratës. Ku fitues doli operatori që kishte ofertuar vlerën 98,557.00 euro.
Por, pas negociatave për uljen e çmimit, operatori fitues bëri një çmim tjetër duke ulur për 1,500.00 euro, duke bërë që shuma përfundimtare e kontratës të jetë 97,057.00 euro.
“Drejtoria për Kulturë si njësi kërkuese e ka iniciuar vitin e kaluar procedurën për dy vite. Vitin e kaluar, njëri lot është realizuar me sukses, derisa i dyti i cili është planifikuar për këtë vit, pas ankesës së operatorit është anuluar dhe është ritenderuar.
Përgjigje nga sektori i prokurimit:
Lidhur me aktivitetin e prokurimit për dekorimet verore, dimërore dhe shënimi i datave me rëndësi, ju njoftoj se ky aktivitet i prokurimit paraprakisht është anuluar me vendim të OSHP-së. Tutje Komuna e Prishtinës e ka ritenderuar aktivitetin e prokurimit dhe aktualisht procedura ndodhet në fazën e vlerësimit të ofertave nga komisioni i rivlerësimit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Megjithatë, nga opozita në kryeqytet kanë kritika për këtë mënyrë të negocimit, e sidomos sipas tyre për çmimin e lartë të lodrave që janë të vendosura në shesh.
“Qeverisja e Përparim Ramës, është një qeverisje që çdo herë ka ndarë buxhet vetëm për shokët e vet. Kështu që nuk është për me u habit asgjë për arsye se asnjëherë nuk është dekoruar sheshi me kohë, por edhe për shumën që është paguar asnjëherë nuk ia ka vlejtur. Kështu që edhe kësaj here, njëjtë si herëve të tjera nuk është se e ka marr me seriozitet dekorimin e sheshit kjo qeverisje lokale”, ka thënë Bajraktari.
Me këtë dekorimit të sheshit dhe shumën që po ndahet për të po duket se janë të pakënaqur edhe disa nga qytetarët.
“Nuk po e rregullojnë këtë sa duhet me e rregulluar, pra masi janë ndarë parat këtu duhet me u zbukuruar sidomos kryeqyteti e që është kryesori. Këtu duhet me pas një pamje të bukur që i ka hije kryeqytetit, çdo kryeqytet rregullohet për vit të ri. Mendoj se shumë është e mjaftueshme me rregulluar sheshin, por duhet me i gjet ato elementet kryesore për me e rregulluar se ky është kryeqytet duhet me u dok sa më bukur”, u shpreh Halimi.
E dikush tjetër gjithë këtë dekorim po e shoh si një lojë politike.
“Nuk është qëllimi i tij me e bë ndonjë zbukurim të qendrës e qytetit, është qëllimi i tij me përfituar ndonjë poenë tash, për arsye se e shikon se çfarë veprimi ka bërë ai e ka bllokuar këtu rrugën”, ka thënë Krasniqi.
Kurse, ky qytetar krahas kritike kishte edhe një urim.
“Mu dok një shumë bukur e madhe për këtë shesh kaq të vogël, por jemi mësuar tashmë me këta politikanë që harxhojnë tej mase për gjëra të cilat nuk ish dashur të harxhohen aq. Shëndet gjithë qytetarëve të Kosovës e mirëqenie edhe do Zoti shqiptarët ndërgjegjësohen edhe i kthehen vetvetes”, u shpreh Bici.
Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit prishtinasit janë të privuar nga festa në sheshin “George Bush”, për shkak të punimeve.






