Policia e Kosovës ka thënë se kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Kosovës është bërë në mënyrë të organizuar.
Baki Kelani, drejtor i Zyrës për Informim në PK, në një konferencë për media ka thënë se ky është një kidnapim klasik.
Ai ka mohuar se këta policë janë pjesëtarë të Njësisë Speciale, dhe se të njëjtit janë polic kufitar.
“Sot në mesditë në thellësi të territorit të Kosovës në zonën kufitare në veri të vendit, njësitë e Serbisë në mënyrë të organizuar kanë kidnapuar tre pjesëtarët e PK-së. Pra ka ndodhë një kidnapim klasik. Kanë qenë në një pikë statike brenda territorit të Kosovës. Kanë qenë në detyre zyrtarë për parandalimin e kontrabandës..”, ka thënë Kelani, përcjell teve1.info
Ai ka thënë se ky veprim nga Serbia është bërë për të mbrojtur kriminelet që po kërkohen nga Policia e Kosovës, për sulme ndaj KFOR-it, Policisë e gazetarëve.
“Kemi njoftuar të gjithë mekanizmat ndërkombëtar që të bëhet presion që policët tanë të kthehen në vendin tonë. Kidnapimet e tilla klasike forcat serbe po i bëjnë për të mbrojtur kriminelet që janë të kërkuar nga Policia e Kosovës. PK është e brengosur dhe e dënon kidnapimin klasik të zyrtarëve të saj nga forcat speciale serbe në territorin e Kosovës”, tha Kelani.








