Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në panelin ministror të Forumit Ekonomik të Vjenës, ku ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, integrimit evropian dhe krijimit të mundësive të reja për investime dhe zhvillim ekonomik.
Ajo ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kusari-Lila ka bërë të ditur se paneli ministror, i titulluar “Common Vision for a Longstanding Economic Cooperation”, ka mbledhur ministra dhe përfaqësues të lartë nga Ballkani Perëndimor dhe rajoni më i gjerë, për të diskutuar prioritetet e shteteve dhe objektivat e përbashkëta drejt integrimit evropian.
“Në adresimin tim theksova rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, integrimit evropian dhe krijimit të mundësive të reja për investime dhe zhvillim ekonomik. Përgëzova Malin e Zi për progresin e arritur në procesin e integrimit evropian dhe nënvizova se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Ministrja ka bërë të ditur se gjatë prezantimit është ndalur edhe te reformat ekonomike dhe legjislative të Kosovës, sektorët me potencial të lartë rritjeje dhe mundësitë konkrete për investime.
“Në prezantimin tim u ndala te reformat ekonomike dhe legjislative të Kosovës, sektorët me potencial të lartë rritjeje dhe mundësitë konkrete për investime. Prezantova gjithashtu marrëdhëniet ekonomike me Austrinë dhe potencialin e Kosovës në prodhim, inovacion dhe zhvillimin e parqeve eko-industriale, duke ftuar bizneset ndërkombëtare të bëhen pjesë e transformimit dhe zhvillimit tonë industrial”, ka theksuar ajo.
Kusari-Lila ka falënderuar presidentin e Forumit Ekonomik të Vjenës, Dr. Emil Brix, dhe sekretaren e përgjithshme, ambasadoren Dr. Elena Kirtcheva, për ftesën dhe organizimin e forumit.
“Një vizion i përbashkët për Ballkanin Perëndimor nënkupton më shumë integrim, bashkëpunim, stabilitet dhe siguri, duke krijuar mundësi për zhvillim ekonomik dhe prosperitet të qëndrueshëm për të gjithë”, ka përfunduar Kusari-Lila.







