Selektori i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin në konferencën për shtyp ku e publikoi listën e futbollistëve të ftuar për duelet e shtatorit, është pyetur edhe për Leon Avdullahun e Albian Hajdarin.
Avdullahu, ditë më parë mori vendim për ta përfaqësuar Kosovën përkundër që Zvicra kishte insistuar të mbetej pjesë e saj.
Yakin është shprehur tejet i dëshpëruar me vendimin e Avdullahut, i cili në këtë afat kalimtar u transferua në Gjermani tek Hoffenheimi.
“Sa e kam parë kemi punuar shumë për ta siguruar atë. Natyrisht, pas kalimit në Bundesligë ai ka synime. Duhet ta pranojmë që ai ka vendosur për ndryshim të përfaqësueses”, ka thënë Yakin.
Ndërkohë, sa i përket Albian Hajdari, Yakin ka theksuar se e kanë planin për mbrojtësin që u transferua nga Lugano tek Hoffenheimi.
“Ne kemi planin për të, por do t’i adresohemi pas ndeshjeve të shtatorit”, ka theksuar Yakin.
Yakin ka thënë se kishin marrëveshje për të mos e ftuar Hajdarin për ndeshjet e muajit të ardhshëm.