Granit Xhaka ka mbetur i zhgënjyer me humbjen e Bayer Leverkusenit ndaj Bayern Munchenit në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.
Leverkuseni, të mërkurën mbrëma në stadiumin “Allianz Arena” u mposht 3:0 nga Bayerni, ekip që me një këmbë është në çerekfinale të Championsit.
Megjithatë, Xhaka nuk dorëzohet pasi ende beson se ka lojë dhe pret reflektimin e Leverkusenit në ndeshjen e kthimit që luhet javën e ardhshme.
Xhaka shtoi se Leverkuseni tregoi karakter të mirë në ndeshjen e parë dhe premtoi se në ndeshjen e kthimit do të japin gjithçka nga vetja.
“Kemi edhe 90-të minuta lojë ose më shumë. Ne besojmë në veten tonë dhe do të japim gjithçka pasi ende nuk ka përfunduar asgjë”, ka thënë Xhaka.
Mesfushori shqiptar ishte startues ndaj Bayernit dhe u zëvendësua në fund të takimit, të cilin Leverkuseni e mbylli me një futbollist më pak në fushë.