Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, tha se Vetëvendosje është e gatshme për zgjedhje të parakohshme.
Ai në një konferencë për medie tha se në zgjedhje mund të shkohet vetëm nëse opozita inicion një mocion mosbesimi, por sipas tij nuk sheh ndonjë indikacion të tillë.
“Natyrisht që VV është e gatshme kurdo që krijohen rrethanat për zgjedhjet e parakohshme, sepse këto e kanë një dimension të rrethanave se kur ato krijohen. Kushtetuta e parasheh këto situata. Unë nuk shoh indikacione për një gjë të tillë, nëse ka ndonjë nismë nga opozita për mocion mosbesimi për Qeverinë dhe ka sukses, padyshim që Vetëvendosja do të ishte edhe e gatshme edhe e përgatitur për të marrë pjesë në zgjedhje.
Por, ne vazhdojmë me përkushtim përmbushjen e programit e qeverisës me mandat të plotë, por nëse eventualisht zgjedhjet e parakohshme paraqiten padyshim që ne me përkushtim do t’iu dedikohemi zgjedhjeve të parakohshme”.
Rrustemi u shpreh se partia e tij në zgjedhjet e ardhshme do të dalë me rezultat më të mirë sesa më 14 shkurti, pasi sipas tij, mërgata do të ketë lehtësi të votimit si kurrë më parë.
“Edhe nga vlerësimi i opinionit, por edhe nga puna që po bëjmë është po ashtu e dukshme që rezultati i zgjedhjeve të ardhshme do të tejkalojë edhe rezultatin e 14 shkurtit të 2021-ës marrë parasysh faktin që mërgata do të ketë lehtësi të votimit si kurrë më parë nëpërmjet votimit nëpër ambasada e konsullata”.