Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar se forcat serbe të sigurisë, përfshirë edhe ato paramilitare, ishin shkaktare të katastrofës humanitare të viteve 1998-99 në Kosovë
Ai, po ashtu, zbrazi një arsenal me kritika për ndërhyrjen e NATO-s ndaj shtetit të tij, pranverën e vitit 1999 dhe më pas akuzoi Kroacinë për “ringjallje të nazizmit”.
Ai bëri këto komente gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të mërkurën, në New York.
“Na thanë se kishin sulmuar një vend sovran, të lirë dhe të pavarur për të parandaluar një katastrofë të mundshme humanitare.
Katastrofa humanitare nuk ndodhi”, deklaroi Vuçiq.
Ky pretendim shpërfill gjendjen e dokumentuar në Kosovë para ndërhyrjes.
Sipas NATO-s, mbi 300 mijë banorë ishin larguar nga shtëpitë deri në fund të vitit 1998.
Aleanca thotë se ndërhyri për të ndalur katastrofën humanitare që tashmë po zhvillohej.
Rreth 1 milion ishte numri i kosovarëve që u desh të largoheshin për Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e vende tjera, si pasojë e dhunës, represionit dhe sulmeve të forcave serbe në periudhën mars-qershor 1999
Vuçiq e “mbrojti” më tej qëndrimin e tij duke thënë se Serbia nuk kishte dërguar forca në ndonjë shtet tjetër.
“Asnjë ushtar i vetëm, asnjë polic nga Serbia nuk kishte shkelur në territorin e ndonjë vendi tjetër”, tha ai.
Me këtë “argument”, presidenti serb injoroi veprimet e forcave serbe brenda Kosovës gjatë kohës së luftës këtu.
Ka qenë edhe vetë Tribunali i Hagës që ka vërtetuar se ato forca zhvendosën me dhunë civilë shqiptarë dhe kryen vrasje gjatë luftës.
Disa udhëheqës ushtarakë të Serbisë janë dënuar nga ky tribunal për krime lufte e krime kundër njerëzimit në Kosovë
Pas Kosovës, Vuçiq iu kthye Kroacisë me një akuzë të rëndë, duke pretenduar se vendi që tashmë ka 13 vjet që është bërë pjesë e BE-së “krenohet me të kaluarën e saj naziste” dhe përdor simbole naziste sot.
“Gjëja më e vështirë për ne në Serbi është kur shohim në rrethinën tonë ringjalljen e nazizmit, veçanërisht në Republikën e Kroacisë”, tha ai në fjalimin në OKB.
Vuçiq nuk përmendi në asnjë pjesë të fjalimit të tij shembuj konkretë që ta mbështesnin përgjithësimin e tij për Kroacinë.










