Gjyljeta Ukella u nxor e vrarë nga banesa e saj në rrugën “Bill Clinton” mëngjesin e së martës mes qytetit të Pejës.
43 vjeçarja, dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, Edomond Lajçi me plumb në kokë në prani të tre fëmijëve të tyre të mitur.
E pas këtij akti, 44-vjecari është dorëzuar në polici.
Vrasjen e ka quajtur makabre Prokurori i krimeve të rënda në Pejë, Ersan Qavolli pasi pa nga afër skenën e krimit.
E Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore, Shkodran Nikqi ka thënë se vrasja ka ndodhur me armë zjarri.
“Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërkaq personi i dyshuar është në stacionin policor. I është sekuestruar arma. Aktualisht në vendin e ngjarjes janë duke u kryer disa ekzaminime dhe personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë. Prokuroria brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Pejës. Policia gjithashtu do të marrë autorizime shtesë për të kryer veprime hetimore”, tha zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Për të parë nga afër vendin ku ndodhi tragjedia erdhi drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Pas vizitës brenda, Hoxha tha se do të shikohet roli i policisë për këtë rast.
“prej vitit 2021 nuk kemi pasur raste rë raportuara në polici në lidhje me dhunë në familje. do t’i analizojmë raportet tona dhe do të shohim cilat kanë qenë përgjegjësitë, puna dhe roli i policisë në këtë rast. në qoftë se ka pasur ndonjë lëshim në procedura dhe punë, normalisht që cdo kush do të vihet para përgjegjësisë për deshtimet e veta”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Rasti i vrasjes së Gjyljeta Ukellës është i dyti për katër ditë në Kosovë, pasi të premten brenda Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj u vra edhe 21 vjecarja, Erona Cokli nga ish bashkëshorti i saj.