Protesta qytetare kundër investimit të planifikuar në Zvërnec vijoi pasditen e sotme në kryeqytet, duke shënuar ditën e 115-të radhazi.
Ashtu si edhe herët e tjera qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” për të vijuar më pas marshimin përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Me pankarta në duar dhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protestuesit vijuan me artikulimin e kërkesave të tyre për largimin e të ashtuquajturës “kastë” e vjetër politike.
Në sheshin përpara godinës së kryeministrisë aktivistë të shoqërisë civile përsëritën kundërshtimin ndaj investimi turistik në zonën e Zvërnecit, si dhe ndaj politikave për zonat e mbrojtura dhe investimeve strategjike.
Nga foltorja e protestës, një prej aktivistëve reagoi ndaj masës së sigurisë të vendosur ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.
“SHISH është komprometuar. Imagjino çfarë kanë bërë forcat e huaja që të depërtojnë në këtë institucion”, deklaroi ai.
Edhe aktivisti Ilir Xhemalaj theksoi se shteti tashmë ka rënë “de facto” dhe “de jure”. “Kryeminsitri Rama duhet të jepte dorëheqjen. Institucionet më të rëndësishme të mbrojtjes kombëtare kanë rënë, ministria e Mbrojtjes ka rënë, është në duar të huaja”, u shpreh ai.
Aktivistët bënë thirrje për vijimin e mobilizimit qytetar.
Protesta, e nisur në 31 maji si kundërshtim ndaj projektit të investimit në zonën e Zvërnecit, është zgjeruar gjatë javëve në vijim edhe me kërkesa politike dhe institucionale.









