Veshjet kombëtare, dikur pjesë e rëndësishme e jetës dhe identitetit të shqiptarëve, sot po rikthehen gjithnjë e më shumë në vëmendje.
Ato shihen në dasma, festa kombëtare, organizime kulturore, por edhe në koleksione moderne të stilistëve dhe aktivitete turistike.
Megjithatë, krahas këtij rikthimi, shtrohet një pyetje: sa po ruhet historia që bartin këto veshje dhe sa po përdoren ato vetëm si element mode dhe dukjeje?
Ndërthurja e tradicionales me modernen ka bërë që shumë prej elementeve të veshjeve kombëtare të përshtaten me trendet e kohës.
Për disa, kjo është një mënyrë për ta mbajtur gjallë traditën dhe për ta afruar atë me brezat e rinj, ndërsa për të tjerë ekziston rreziku që, përmes ndryshimeve të shumta, të humbasë kuptimi origjinal i këtyre veshjeve.
Historiani Denald Prifti, nga Shqipëria, në një prononcim për Kosovapress, thotë se veshjet tradicionale tashmë kanë filluar të përshtaten me kohën, duke u shndërruar edhe në një element të rëndësishëm të promovimit kulturor dhe kombëtar.
“Veshjet tradicionale kanë filluar tashmë, kanë filluar në të gjithë botën, kanë filluar të përshtaten. Të përshtaten sepse është parë që elementi i traditës është një dhe elementi i kombëtares është një pikë shumë e fortë si pikë marketingu, por edhe ndjesie kombëtare te të gjithë banorët, si ata në Shqipëri po dhe ata në Kosovë. Ku elementi i traditës është një element kyç me të cilët ne qëndrojmë fort për të ruajtur traditën tonë kombëtare”, ka thënë Prifti.
I pyetur nëse historia e veshjeve tradicionale po kuptohet dhe përcillet përmes tyre, apo nëse ato janë kthyer më shumë në modë dhe trend, Prifti ka thënë se përdorimi i tyre është zgjeruar edhe në aktivitete turistike dhe organizime të ndryshme.
“Është kthyer edhe në trend vitet e fundit. Sigurisht veshjet me të cilat ne përfaqësojmë kryesisht janë veshjet me të cilat ne i risjellim në jetë nëpërmjet dasmave, nëpërmjet traditave të ndryshme, festave të ndryshme, festave kombëtare si 28-29 Nëntori, po qoftë edhe festa të ndryshme. Por kryesisht përdorimi i elementeve të kostumeve është bërë tashmë, është bërë e modës që të rifutet edhe nëpër bujtina, të organizohen netë të ndryshme shqiptare me elementë jo vetëm për qytetarët e Shqipërisë apo të Kosovës, por edhe për shtetasit e huaj për të arritur të kuptojnë më mirë vendin ku ata kanë ardhur. Kryesisht kjo gjë ndihmon si në turizëm, ndihmon edhe në një përafrim midis kulturave”, është shprehur ai.
Sa i përket ndërhyrjeve në veshjet tradicionale dhe përshtatjes së tyre me elemente moderne, historiani Prifti thotë se kjo është pjesë e zhvillimit të modës dhe punës së dizajnerëve.
“Mirë, kjo është një element të cilët më shumë përfshihet me elementin që e modernes edhe tradicionalja. Kjo pak a shumë ndërlidhje të tilla mund të ndodhin në çdo vend të botës. Moda ose dizajnerët pak a shumë do të lozin me këto elemente dhe është pjesë e punës së tyre”, ka deklaruar Prifti.
I pyetur nëse përzierja e tradicionales me modernen mund ta humbë rëndësinë e veshjeve, ai është shprehur:
“Edhe i humb, por deri diku dhe rizgjon elemente të traditës tek fasha e gjerë e njerëzve që kryesisht kërkojnë të rifusin elemente të traditës në veshjet e tyre”, tha ai.
Në anën tjetër, zëvendësdrejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Mehmed Xhemajli, thekson se zhvillimi dhe përshtatja me kohën nuk duhet të nënkuptojnë harrimin e traditës dhe historisë.
Duke folur për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë, Xhemajli thotë se popujt duhet të ecin me kohën, por pa harruar të kaluarën e tyre historike.
“Dëgjo, tash motoja e shumë popujve të botës thonë: ‘Ec me kohën’. Mirëpo njëkohësisht nuk duhet ta harrojmë ne traditën tonë, nuk duhet ta harrojmë historinë tonë shekullore që kemi pasur, mijëravjeçare. Dhe ajo na shtyn që ne ta mbajmë tradicionalitetin dhe t’u tregojmë popujve të botës që ne jemi një popull i lashtë, nuk jemi një popull i ri që jemi themeluar mendoj në shekullin XVII-XVIII. Kështu që…”, ka thënë Xhemajli për Kosovapress.
Sa i përket ndërthurjes së tradicionales me modernen, Xhemajli nuk e konsideron këtë domosdoshmërisht si humbje të vlerave. Sipas tij, përfshirja e elementeve të së kaluarës në veshjet e sotme mund të jetë një mënyrë për ta mbajtur traditën të pranishme edhe në shoqërinë moderne.
“Jo, nuk i humb vlera për shkak se kur merr një element, ajo është një e mirë që ende ne kemi atë traditën tonë, që edhe me kohën i bashkojmë të dy kohënat, edhe ato të sotmit edhe ato të lashtës”, ka deklaruar Xhemajli.
Përderisa veshjet kombëtare po rikthehen në forma të ndryshme dhe po fitojnë vëmendje edhe jashtë aktiviteteve tradicionale, sfida mbetet ruajtja e kuptimit të tyre historik. Sepse, përtej pamjes dhe bukurisë që ofrojnë, ato përfaqësojnë histori, identitet dhe kujtesë kulturore.
Modernizimi mund t’i japë traditës një formë të re, por njohja dhe respektimi i historisë së saj mbetet thelbësore që veshjet kombëtare të mos shndërrohen vetëm në një trend të përkohshëm. /KP







