Që nga 16 shtatori, flamujt në Burojë të Skenderajt kanë mbetur të vendosur në shtizë.
Këta flamuj të shpien drejt shtëpisë së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në këtë shtëpi, të martën e 17 nëntorit, po përcillej seanca e shpalljes së aktgjykimit ndaj Thaçit dhe katër të akuzuarve të tjerë për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.
Ish-presidenti Hashim Thaçi u dënua me një vit e pesë muaj burgim.
Vendimin dënues, ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naim Shabani, e cilësoi të padrejtë, duke thënë se me këtë po i bëhet padrejtësi edhe popullit shqiptar.
“E thirri gjithë popullin tim anë e mbanë botës që të ngrihen në këmbë, që është padrejtësi e madhe duke u bërë e madhe. Nuk kemi bërë ne për me u dënu në Hagë”, ka thënë Shabani.
Shabani ka vënë në pikëpyetje edhe mënyrën se si po trajtohen krimet e kryera gjatë luftës, duke përmendur edhe ish-udhëheqësit serbë.
“Ku është Karaxhiqi, ku është Slloba? Sa i dënuan serbët? Dy persona i kanë dënuar. E ne, një nga një, duke u dënuar për vendin tonë, për shtëpitë tona, për popullin tim. Le të na dënojnë mbarë popullin shqiptar, e kanë dënuar edhe tokën shqiptare, jo vetëm ata katër, por të gjithë ne, pa bërë krime e pa sulmuar askënd në trojet, tokat e shtëpitë tona. Ata erdhën, na sulmuan neve dhe na masakruan familjet”, u shpreh tutje Shabani.
Por edhe qytetarët e tjerë në Skenderaj e quajnë të pa drejtë vendimin e gjykatës.
“Të gjithë jemi për Thaçin, dhe ajo Gjykatë është politike, nuk ka kryer kurrfarë krimesh… Kam qenë ushtar, por nuk po na pyet kush ne…Kam qëndrua me të e edhe me babanë e tij (Hashim Thaçit). Bubrrecin nuk e ka shkel baba i tij”, u shpreh Haliti.
Rexhep Haliti i cili ish-presidentin e njeh që nga fëmijëria, e kujton Thaçin si nxënës të mirë e të sjellshëm. Ndërkohë thotë se vendimi i Speciales ishte i pa drejtë.
“Kemi qëndrua me të, kontakte kemi pas gjithmonë, afër jemi…jam gjeneratë më e vjetër, por këtu komshi jemi, kemi luajtur bashkë me të, ka qenë nxënës i mirë e i sjellshëm…Është e padrejtë (vendimi ndaj tij)…Sërish kemi me protestua e krejt jetën kemi me protestua, sepse është e padrejtë”, ka thënë Rexhep Haliti.
Ndërkohë, në një tjetër aktgjykim të shkallës së parë, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e dënuan ish-presidentin Hashim Thaçi me 25 vjet burgim.






