Janë fletëvotimet nga zgjedhjet e 7 qershorit.
E të gjitha këto, u grumbulluan sërish në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Kjo meqë edhe të martën këtu, vazhdoi numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.
Për këtë, verifikimi i tyre po bëhet me kujdes.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi ka treguar që ky proces në kryeqytet pritet të zgjasë më shumë.
Krejt kjo për shkak të numrit më të madh të vendvotimeve.
“Në qendrën sportive në Prishtinë është duke vazhduar procesi i numërimit ashtu si në qendrat e tjera, normal nuk kanë përfunduar deri më tani këtë numërim sepse kanë një numër të madh të vendvotimeve të cilat duhet të përfshihen në këtë proces ditëve në vazhdim. Në përgjithësi sipas raportimeve ecuria e numërimit dhe verifikimit të vendvotimeve është e kënaqshme”, ka thënë Elezi.
E deri më tani sipas Elezit, probleme me numërim ka pasur vetëm në një komunë.
“Procesi i numërimit dhe i verifikimit është duke vazhduar pa ndonjë problem në komunat e tjera pra në qendrat komunale të komunave të tjera dhe nuk është raportuar për ndonjë parregullsi, ajo çka mund të themi është që gjatë ditës së parë gjatë procesit të numërimit në qendrën komunale të komunës së Vushtrrisë është bërë procesi i numërimit nga 10 vendvotime por për shkak të problemeve teknike lidhur me internetin nuk është bërë procedimi i rezultateve gjatë ditës së sotme e martë është rregulluar ky problem dhe procesi i numërimit është bërë serish dhe rezultatet kanë filluar të bashkëngjiten serish”, u shpreh tutje Elezi.
E në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të martën është bërë procesi i pranimit të kutive nga votimi me postë, përfaqësi diplomatike dhe i atyre me nevoja të veçanta.
Deri në mesditë këtu arritën vetëm 5 kuti, nga komuna e Shtërpcës, Hani i Elezit, Junikut, Mamushës dhe Zveçanit.
“Në QNR do të kemi numërimin e rezultateve të votave nga votimi jashtë Kosovës me postë apo me përfaqësi diplomatike e pastaj i votave nga votimi me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta e këto numërime do të behen ditëve në vazhdim, pasi paraprakisht të kryhen disa aktivitete në QNR për shembull para se të fillojmë me numërimin e votave me kusht KQZ bënë skanimin përfundimtar të votuesve”, theksoj Elezi.
Sipas Elezit, këto pako do të përfshihen në procesin e numërimit pas disa ditësh, kur të përfundoj verifikimi i tyre.






