Pas takimeve spektakolare që u zhvilluan ditët e fundit, Liga e Kampionëve rikthehet me një tjetër mbrëmje të mbushur me futboll cilësor, ku në total do të zhvillohen 6 ndeshje të rëndësishme.
Katër prej tyre do të fillojnë në orën 21:00, duke tërhequr vëmendjen e tifozëve në të gjithë Europën.
Sytë më shumë do të jenë nga Anglia, ku në dy stadiume të ndryshme zhvillohen sfida të mëdha.
Njëra prej tyre është ndeshja mes Manchester Cityt dhe Napolit, dy prej skuadrave më në formë të sezonit.
Manchester City, nën drejtimin e Pep Guardiolës, pas katër xhirove në Premier League, ka arritur dy fitore dhe dy barazime.
Në anën tjetër, Napoli i trajnerit Antonio Conte ka nisur Serie A me tre fitore radhazi, duke treguar se janë një forcë serioze në këtë sezon.
Një tjetër përballje interesante do të zhvillohet në “St. James’ Park” në Newcastle, ku skuadra vendase pret kampionen e Spanjës, Barcelonën.
Këto dy skuadra nuk janë përballur në Ligën e Kampionëve që nga viti 2003, dhe deri tani, pas dy takimeve, Barcelona ka një bilanc perfekt me dy fitore.
Newcastle kërkon të sfidojë këtë dominim dhe të marrë pikë të vlefshme në këtë edicion.
Përveç këtyre dy ndeshjeve kryesore, në orën 21:00 do të zhvillohen edhe përballjet Frankfurt – Galatasaray dhe Sporting – Kairat Almaty, dy duele që premtojnë intensitet dhe rivalitet të fortë.
Nga ana tjetër, tashmë kanë nisur takimet e orës 18:45, ku Brugge po luan kundër Monacos, ndërsa Copenhagen përballet me Bayer Leverkusen, dy ndeshje që mund të kenë ndikim të madh në pozicionet në grup dhe mundësi për kualifikim në fazat e mëtejshme.