Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance ka thënë të martën se një marrëveshje emergjente mes Uashingtonit dhe Teheranit do të ishte “një fitore për popullin amerikan”, i pëlqeu apo jo kjo Izraelit.
Këto komente ai i bëri pasi presidenti amerikan, Donald Trump parashikoi një marrëveshje brenda dy ose tre ditësh, dhe mohoi se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e kishte sfiduar atë duke rifilluar sulmet ndaj Iranit të dielën në mbrëmje.
Në intervistën në Fox News, Vance ka thënë se Izraeli dhe SHBA-ja “kanë interesa të përbashkëta, por poashtu ka situate kur interesat tona ndryshojnë.”
“Mendoj se presidenti ka qenë shumë i qartë se përderisa Izraeli qartësisht ka disa objektiva të caktuara, objektivi kryesor i Shteteve të Bashkuara është të sigurohen që Irani mos të ketë armë bërthamore,” ka thënë Vance, citon The Times of Israel.
Ai pohoi se që kur Trump është rikthyer në pushtet, Shtëpia e Bardhë ka “krijuar një hapësirë” për një marrëveshje bërthamore që do të ishte superior ndaj asaj të arritur në 2015 nga presidenti i atëhershëm, Barack Obama.
Gjatë një viti e gjysmë të fundit, ne kemi krijuar hapësirën e nevojshme ku presidenti beson – dhe mendoj se ka të drejtë – se mund të arrijmë një zgjidhje afatgjatë për marrëveshjen bërthamore të Iranit”, tha ai.
“Tani, Izraelit mund t’i pëlqejë kjo, mund të mos i pëlqejë”, shtoi Vance. “Por në thelb, ne mendojmë se kjo është në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”
Sipas Vance, iranianët “nuk duan që kjo luftë të vazhdojë, nuk është në interesin e tyre më të mirë dhe mendoj se po ulen në tryezë dhe po vendosin disa gjëra në tryezë.”
“Sigurisht që do ta verifikojmë, por nëse e arrijmë këtë marrëveshje, do të jetë një fitore e madhe për popullin amerikan”, tha ai.




