Përfaqësuesja U20 e Kosovës në basketboll ka shënuar fitore të premten në Kampionatin Evropian të Divizionit B që po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Në ndeshjen për klasifikim prej pozitave nëntë deri në 16, Kosova fitoi ndaj Letonisë me rezultat 81:77. Basketbollistët e rinj të Kosovës bënë shkëputje të lehtë në çerekun e parë, të cilin e fituan 13:10. Në çerekun e dytë fituan 28:27, ndërsa diferenca u rrit në çerekun e tretë, të cilin Kosova e fitoi 19:15.
Çereku i katërt ishte i fortë, ndërsa Kosova vazhdimisht ishte para. Letonia u afrua në dy pikë, por pa mundur të barazonte rezultatin. Në fund dallimi ishte katër pikë në të mirë të Kosovës, 81:77. Jon Ukaj ishte më i miri te Kosova me 28 pikë e tetë kërcime. Rron Dahsyla i kishte tetë pikë e dhjetë kërcime, ndërsa Jon Ismajli shtoi tetë pikë e nëntë kërcime. Visar Ejupi shënoi 20 pikë, por kishte edhe shumë gjuajtje të humbura.
Për Kosovën është fitorja e dytë në Kampionatin Evropian në Shkup. Në fazën grupore kishte fituar ndaj Azerbajxhanit, ndërsa kishte humbur nga Gjeorgjia, Suedia e Ukraina. Kosova luan ende për plasman përfundimtar.
Ndërkohë Shqipëria U20 ka luajtur edhe një ndeshje të fortë dhe ka pësuar tjetër humbje. Në garën për plasman prej pozitave 17 deri në 20, Shqipëria humbi 72:70 nga Sllovakia. Për Shqipërinë është humbja e pestë rresht. Katër humbje i kishte pësuar në fazën grupore. Xhuljan Tola ishte më i miri te Shqipëria me 11 pikë e 11 kërcime.