Policia e Kosovës ka njoftuar se tre persona janë arrestuar në kuadër të një aksioni ndërkombëtar kundër mashtrimeve përmes platformave të rreme të investimeve.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është realizuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjatë të cilit janë bastisur pesë lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj.
Të arrestuarit, me inicialet M.P., I.H. dhe F.Z., dyshohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, mashtrim, hyrje të paautorizuar kompjuterike dhe mashtrim kompjuterik.
Policia bën të ditur se të dyshuarit, duke u paraqitur si agjentë apo ndërmjetës financiarë, dyshohet se kanë mashtruar qytetarë, kryesisht nga vendet gjermanishtfolëse, duke i bindur të investonin para në instrumente financiare dhe kriptovaluta.
Megjithatë, fitimet që paraqiteshin në platformat përkatëse dyshohet se ishin fiktive, ndërsa paratë e transferuara nuk investoheshin sipas premtimeve të dhëna.
Gjatë operacionit janë sekuestruar përkohësisht vetura, telefona celularë, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Ky aksion është pjesë e një operacioni ndërkombëtar, në kuadër të të cilit kontrolle janë zhvilluar edhe në Shqipëri, Qipro, Izrael, Finlandë dhe Maqedoninë e Veriut.
Operacioni në Kosovë është realizuar në bashkëpunim me autoritetet gjermane, Europol-in dhe Eurojust-in.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe gjurmimin e pasurisë që dyshohet se rrjedh nga veprimtaritë kriminale./teve1.info/










